Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kthimi i filmit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 02.12.2024 09:12
Blerim Shala
Blerim Shala

Aktet si ky i të premtes në mbrëmje, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, kanë qartësinë e plotë, janë lehtë të definueshme dhe cytin reagime të vendosura dhe të prera të gjithë faktorëve relevant ndërkombëtarë.

Pa kurrfarë dyshimi pra, të premten e kaluar, me 29 nëntor, kishim të bëjmë me një sulm terrorist, qëllimi kryesor i të cilit ishte dëmtimi i kanalit Ibër-Lepenc, i cili ka rëndësi jetike për furnizimin e qytetarëve të Kosovës me rrymë dhe me ujë.

Që nga rasti i Banjskës  (24 shtator, 2023), kur Milan Radoičić dhe Grupi i tij paramilitar provuan të organizojnë kryengritje të armatosur me qëllim të provokimit të një konflikti i cili si qëllim final kishte aneksimin e Veriut të Kosovës, gjendja në Veri ka mundur të definohet sipas atij formulimi të moçëm të KFOR-it për një ‘stabilitet të brishtë’.

Megjithatë, sjellja e një mijë trupave të reja në Misionin e KFOR-it, pastaj, patrullimi i vazhdueshëm i njësive të KFOR-it në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe prania e vazhdueshme e forcave policore të Kosovës në këtë pjesë të vendit, ofronin një tablo më optimiste për gjendjen e sigurisë në Veri.

Llogaritej po ashtu që pushteti i Serbisë është gjetur shumë keq pas rastit të Banjskës, sepse nuk duhej pasur shumë njohuri për ta vendosur lidhjen e drejtpërdrejt në mes të trupave të Milan Radoičićit dhe Beogradit zyrtar.

Çfarë ndodhi në Banjskë me 24 shtator të vitit të kaluar, ishte një ’Transmetim live’ i ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë, përmes këtij grupi para-ushtarak.

Kur të merren parasyshë të gjtha këto çfarë u thanë, një vëzhgues i pavarur i huaj (si thuhet) i proceseve dhe zhvillimeve këndejpari, do të mund të thoshte që ngjarja e të premtes në komunën e Zubin Potokut nuk do të duhej të ndodhte. Apo, madje, që është befasi. Për më shumë.

Por, në realitet, çfarë ngjau para pak ditësh me kanalin Ibër-Lepenc, nuk ka si të mos e kthen ’filmin’ në rastin e Banjskës të vitit të kaluar.

Për shumë shkaqe.

Edhe pse strukturat paralele të sigurisë të Serbisë në Veriun e Kosovës janë goditur shumë nga autoritetet e vendit, veçmas që nga Banjska e këndej, ato tutje operojnë, më shumë matanë kufirit  (të Kosovës me Serbinë), se këndejpari. Megjithatë, ato janë ende gjallë dhe nuk ka shenja fare që pushteti i Serbisë e ka ndërmend të heq dorë prej tyre.

Në anën tjetër, megjithë autorosinë e qartë dhe të pranuar nga Milan Radoičić për sulmin e Banjskës me trupa paramilitare dhe përkundër lidhjeve të njohura botërisht në mes të Radoičićit dhe Presidentit Vuçiq, Serbia nuk është ndëshkuar as sot e kësaj dite nga Bashkimi Evropian.

Kryeqendrat perëndimore, deri tash së paku, u mjaftuan, në këtë aspekt, me thirrjet e vazhdueshme të cilat i kanë drejtuar Presidentit të Serbisë që Rasti i Banjskës të zbardhet dhe që ata që qëndrojnë prapa tij të ndiqen dhe të ndëshkohen.

Deklaratat e këtij lloji po përsëriten tash e mbi një vjet, por pa kurrfarë efekti në Beograd.

Milan Radoičić është i lirë, nuk ka hetime serioze ndaj tij, teksa në rrethana të një sundimi të ligjit, deri tash ky ka mundur të gjykohet dhe të dënohet me shumë vit burgim, apo, në rrethanat kur njëmend synohet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, Radoičić do të mund edhe të ekstradohej në Kosovë, pasiqë në ndërkohë do të nënshkruhej Marrëveshja e cila do të mundësonte një gjë të tillë.

Thënë shkurt, në çdo rrethanë, pandëshkueshmëria e pushtetit të Serbisë dhe e vet autorit të Banjskës, ka lënë të hapur mundësinë për përsëritjen e sulmeve të këtij lloji çfarë ishte ky i para pak ditëve në fshatin Varragë.

Natyrisht, këtu nuk duket lënë anash as mungesën e progresit në procesin e zbatimit të Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit, e cila është trashëgimi që e ka gjetur në tavolinë Kaja Kallasin, Përfaqësuesen e re të Lartë të BE-së.

Po shihet pra që në vitin e ardhshëm (2025), duhet të ndryshojë me themel kjo ndërmarrje ndërkombëtare që synon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme