Kosova dhe pa(fundi) i krizave 123 string(14) "Bekim Çollaku" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/03/collakuuuuuuu.png" nga Bekim Çollaku 30.07.2026 17:03 30.07.2026 17:03 Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit 2026 e përcaktuan qartë renditjen e forcave politike, por nuk prodhuan një shumicë për qeverisje të njëanshme. Nga partitë politike shqiptare, LVV doli e para me 53 deputetë, e ndjekur nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me shtatë deputetë. Ky rezultat duhet të lexohet drejt. Qytetarët e përcaktuan fituesin, por nuk i dhanë asnjë partie mandat për të qeverisur e vetme. Prandaj, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës imponon bashkëpunim, kompromis dhe ndarje të përgjegjësisë institucionale. Pas disa proceseve zgjedhore dhe një periudhe të gjatë pasigurie politike, Kosova nuk e ka luksin të hyjë në një krizë tjetër institucionale. Bllokada nuk është një problem abstrakt partiak sepse ajo prek ekonominë, investimet, pagat, pensionet, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë energjetike. Krizat e vazhdueshme institucionale kanë bllokuar projektet zhvillimore, duke e kufizuar qasjen në fondet ndërkombëtare dhe dobësuar besueshmërinë e Kosovës te partnerët strategjikë. Partitë politike parlamentare duhet të jenë të përgjegjshme për ketë situatë emergjente, sepse çmimin e mungesës së institucioneve nuk e paguajnë vetëm ato, por më së shumti qytetarët. Përgjegjësia kryesore i takon fituesit Në një demokraci parlamentare dhe bazuar në kushtetutën tonë, fitorja zgjedhore sjell të drejtën për ta udhëhequr procesin e krijimit të institucioneve. Por kjo e drejtë shoqërohet edhe me barrën kryesore të përgjegjësisë. Deri me tani, fituesi po sillet pa pasur ndjeshmërinë e kësaj përgjegjësie dhe urgjence. Kjo, sjellje e ripërsëritur disa here, është për keqardhje. Si fituese e zgjedhjeve, LVV duhet të paraqesë një ofertë të mirëfilltë për krijimin e një shumice të qëndrueshme. Meqë nuk i ka numrat për të qeverisur e vetme, ajo duhet t’i drejtohet seriozisht PDK-së ose LDK-së për një marrëveshje bashkëqeverisjeje. Oferta nuk mund të reduktohet në kërkesën për votat e nevojshme, pa ndarje reale të përgjegjësive. Nuk mund të kërkohet që një parti tjetër ta mbajë barrën e stabilitetit, ndërsa fituesi ruan për vete kontrollin mbi institucionet dhe vendimmarrjen kryesore. Të gjitha partitë duhet ta dinë se partneriteti nuk është nënshtrim dhe kompromisi nuk është kapitullim. Nëse një parti ftohet të mbajë përgjegjësi për suksesin ose dështimin e qeverisë, ajo duhet të ketë ndikim real në program, në vendimmarrje dhe në drejtimin e institucioneve. Prandaj, nëse fituesi nuk paraqet një ofertë serioze, të balancuar dhe të besueshme, përgjegjësia për vazhdimin e krizës bie drejtpërdrejt mbi të. Fituesi nuk mund ta kërkojë privilegjin e iniciativës dhe njëkohësisht t’ua bartë partive të tjera fajin për dështimin e procesit. Ish-opozita duhet të përcaktojë kushtet Megjithatë, përgjegjësia parësore e fituesit nuk e shfajëson PDK-në, LDK-në dhe AAK-në nga përgjegjësia e tyre. Këto parti nuk duhet të presin në heshtje ofertën e LVV apo të kalkulojnë se kush përfiton më shumë nga vazhdimi i krizës. Ato duhet të harmonizojnë një platformë minimale parimesh mbi të cilat mund të zhvillohen negociatat. Kjo nuk nënkupton krijimin e një blloku të ri politik dhe as humbjen e identitetit të tyre. Por ekziston një interes i përbashkët, që pjesëmarrja eventuale e cilësdo prej tyre në qeverisje të mos shndërrohet në marrëveshje të pabarabartë, të paqartë dhe jetëshkurtër. PDK-ja dhe LDK-ja, si partneret kryesore potenciale për krijimin e shumicës, duhet t’ua paraqesin qytetarëve kushtet mbi të cilat janë të gatshme të negociojnë. AAK-ja tashmë e ka bërë të qartë pozicionin e saj duke bërë publike kushtet e saja në këmbim të mbështetjes me vota. PDK gjithashtu ka deklaruar pas takimit të parë negociator se preferon të mbetet në opozitë. Ndërsa LDK pas takimit të parë, qartazi ka lenë të kuptohet se pothuajse se kanë arritur një marrëveshje në parim. Mirëpo, asgjë nuk ka përfunduar. Prandaj, pavarësisht qëndrimeve fillestare, qytetarët dhe votuesit duhet të dinë se çfarë kërkojnë këto parti përtej ndarjes së posteve: cilat janë prioritetet programore, standardet e qeverisjes dhe vijat e kuqe. Negociatat serioze mund të kërkojnë një shkallë diskrecioni, por parimet dhe marrëveshja përfundimtare nuk mund të mbeten të fshehta. Pozicionet partiake për gatishmëri për bashkëqeverisje apo qëndrim në opozitë, duhet të argumentohen qartë në opinionin publik. Transparenca do t’i mbronte vetë këto parti nga akuzat për pazare dhe do t’u mundësonte qytetarëve të dallojnë ndërmjet kompromisit të përgjegjshëm dhe oportunizmit politik. Ekuilibër institucional dhe program i përbashkët Ndarja e përgjegjësive kryesore duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet në përputhje me praktikën kushtetuese, ndërsa drejtimi i qeverisë dhe çështja e presidentit duhet të trajtohen si pjesë e një pakete që garanton ekuilibër institucional. Përqendrimi i drejtimit të institucioneve kryesore në duart e një partie të vetme nuk do t’i shërbente besimit ndërmjet partnerëve dhe as gjithëpërfshirjes politike. Nëse fituesi kërkon partneritet të plotë nga PDK-ja ose LDK-ja, duhet të jetë i gatshëm të ofrojë edhe ndarje të mirëfilltë të pushtetit. Varësisht nga arkitektura e marrëveshjes, posti i kryeministrit ose ai i presidentit do të duhej t’i takonte partnerit të koalicionit. Kjo nuk është vetëm çështje postesh. Është mënyrë për të garantuar se pushteti nuk përqendrohet në një qendër të vetme dhe se përgjegjësia politike ndahet qartë. Çështja e presidentit kërkon kujdes të veçantë. Kosova tashmë e ka provuar koston e mungesës së marrëveshjes për këtë institucion. Kandidati për president duhet të jetë figurë e aftë të sigurojë mbështetje të gjerë parlamentare, të mbrojë rendin kushtetues dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit dhe qytetarëve. Megjithatë, krijimi formal i institucioneve nuk mjafton. Kosovës nuk i duhet një marrëveshje që përfundon ditën kur votohet qeveria, por një marrëveshje që garanton funksionim gjatë gjithë mandatit. Çdo partneritet duhet të mbështetet në një program të përbashkët, të shoqëruar me prioritete buxhetore, afate dhe rezultate të matshme. Përmirësimi i mirëqenies, mbështetja e sektorit privat, siguria energjetike, sigurimet shëndetësore, reforma në arsim, sundimi i ligjit dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare duhet të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje serioze. Secili zotim duhet të ketë koston, burimin e financimit dhe afatin e realizimit. Në të kundërtën, partitë do t’i kenë ndarë pozitat, por jo përgjegjësinë për të qeverisur. Një rrugëdalje është e mundshme Zgjidhja nuk kërkon formula të ndërlikuara. Fituesi duhet ta udhëheqë procesin dhe të bëjë ofertë serioze. Partitë e deridjeshme opozitare duhet t’i përcaktojnë kushtet e tyre para se të hyjnë në negociata. Partneriteti duhet të jetë i barabartë, përgjegjësitë institucionale të ndahen dhe marrëveshja përfundimtare të bëhet publike. Nëse VV paraqet një ofertë të tillë, PDK-ja ose LDK-ja duhet ta shqyrtojnë me seriozitet. Refuzimi automatik i çdo bashkëpunimi nuk është domosdoshmërisht parimor, ai mund të jetë shmangie nga përgjegjësia. Por nëse fituesi kërkon vetëm vota, synon ta ruajë kontrollin mbi të gjitha institucionet dhe nuk pranon marrëveshje të balancuar, atëherë përgjegjësia për dështimin nuk mund t’iu faturohet partive të tjera. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet të jenë konstruktive, por jo naive. Ato duhet të jenë të hapura për kompromis, por jo për nënshtrim. Duhet të jenë të gatshme për përgjegjësi, por vetëm nëse kanë rol të mirëfilltë në vendimmarrje. Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend funksional, një qeveri të qëndrueshme dhe institucione që marrin vendime. Një cikël tjetër bllokade do ta thellonte mosbesimin publik, do ta dëmtonte ekonominë dhe do ta dobësonte edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit. Zgjedhjet e reja nuk mund të shërbejnë si zëvendësim për dialogun sa herë që partitë nuk arrijnë marrëveshje. Kosova nuk mund të presë më. Kompromisi është i nevojshëm, partneriteti është i mundshëm, por (pa)përgjegjësia fillon nga fituesi.