Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Korrigjimi” paqësor i kufijve nuk gjeneron probleme në Ballkan

123
string(13) "Xhelal Neziri" string(68) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/xhelal-neziri-1.jpg"
nga Xhelal Neziri 20.08.2018 13:06
Një tempo e shpejtë e lëvizjeve dhe aleancave gjeopolitike që ka hutuar gati të gjithë aktorët dhe vëzhguesit e politikës në rajon. Letrat mbahen fshehur si në tavolinë pokeri. Se çfarë do të sjellë periudha në vazhdim, askush nuk mund të përgjigjet me saktësi.

Në debatin që është ndezur lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territorit midis Kosovës dhe Serbisë, shpesh tërhiqen paralele dhe nxirren përfundime të cilat mendoj se janë të ekzagjeruara.

Një shkëmbim i tillë i territorit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme, nuk mund të krahasohet as me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë e as me ambiciet për shkëputje të serbëve të Bosnjës e Hercegovinës, të rusëve Transnistrisë (Moldavi), të Osetisë Jugore (Gjeorgji) etj. Kjo nga shkaku se në rastin e negociatave Prishtinë-Beograd flitet për marrëveshje paqe, e jo për imponim nëpërmjet luftës. Flitet për një marrëveshje që do të kalojë në referendum në të dyja vendet, me qëllim që të mos hapet sërish nga garniturat e ardhshme qeverisëse. Për një kontratë që do të ketë pëlqimin e plotë të të dyja palëve. Andaj, nëse Beogradi dhe Prishtina dakordohen për “korrigjimin” e kufijve, atëherë nuk besoj se do ishte problem për pjesën tjetër të Ballkanit.

Përkundrazi, do të ishte një shtytje më shumë drejt stabilizimit të Ballkanit.

E rrezikshme është situata nëse nuk arrijnë të merren vesh dhe ndërkohë ndonjëra nga palët me dhunë anekson territorin e tjetrës, që më pastaj të pranohet si zgjidhje. Në këtë rast, po – hapet Kutia e Pandorës. Përderisa zgjidhja është paqësore, e pranueshme për të dyja palët dhe zgjidh një problem – atëherë nuk ka vend për frikë.

Përmendet Bosnja e Hercegovina, që ka brenda kufijve të saj një etni serbe, dhe Maqedonia, me një etni shqiptare, si vende që do të ishin të parat në vijën e efektit domino. Apo edhe shtete tjera brenda BE-së, të cilat kanë pakica në vendet fqinje. Por, harrohet të përmendet parakushti kryesor – për një zgjidhje të tillë nevojitet miratim nga të dyja palët.

Nëse njëra palë e kontestit nuk pajtohet me “korrigjimin” kjo do të thotë se nuk mund të ketë marrëveshje.

Maqedonia po shkon drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Shqiptarët janë tërësisht të integruar në sistem dhe janë bartës të sovranitetit të shtetit. Kanë Marrëveshjen e Ohrit që po e shndërron Maqedoninë në një shtet të të gjithë qytetarëve, të barabartë në obligime dhe të drejta. Asnjë forcë politike nuk ka në platformë bashkimin me Shqipërinë e as me Kosovën, e as në Tiranë e Prishtinë nuk ka struktura që të joshin shqiptarët etnik të Maqedonisë.

Shqiptarët synojnë barabarsi të plotë dhe këtë janë në rrugë që ta arrijnë. Pra, nuk ka problem e as palë që të hapet çështja e kufijve në Maqedoni.

Një mundësi për hapjen e kësaj teme mund të japë dështimi i mundshëm i referendumit të 30 shtatorit, kur qytetarët duhet të votojnë nëse janë “për” ose “kundër” integrimit në NATO dhe BE me kusht pranimin e Marrëveshjes së Prespës, me të cilën zgjidhet çështja e emrit me Greqinë.

Por dështimi i referendumit duket se ka pak gjasa të ndodhë.

Bosnja e Hercegovina është një çështje tjetër. Marrëveshja e Dejtonit solli paqen, por jo edhe shtetin funksional.

Nëse Beogradi dhe Sarajeva pajtohen që ta “korrigjojnë” kufirin që të qetësojnë armiqësinë dhe bashkë të lëvizin drejt integrimit në BE, atëherë kjo nuk do të ishte një problem. Por nëse Boshnjakët, për shembull, do të refuzonin një zgjidhje të tillë, atëherë imponimi eventual i zgjidhjes territoriale mund të sjellë luftë që mund ta përfshijë rajonin e të involvojë edhe fuqitë e mëdha.

“Korrigjim” kufijsh, realisht, kishte edhe në përcaktimin e kufirit Maqedoni-Serbi, Shqipëri-Greqi, Maqedoni-Kosovë dhe Kosovë-Mal i Zi. Në të katër rastet është shënuar marrje-dhënie territoresh nëpërmjet një procesi paqësor të negociatave, marrëveshjeve dhe aprovimit në institucionet vendore.

Ajo që nuk ka ndodhur në këto “korrigjime” është marrje-dhënia e territoreve të banuara. Në debatin publik, kundërshtarët e “korrigjimit” të kufirit Serbi-Kosovë përmendin numra se sa territor jep e sa merr Kosova. Apo, çfarë jep e çfarë merr. Sidoqoftë, kur flitet për atë se çfarë fiton Kosova duhet të kihen parasysh tre momente, që forcojnë dhe garantojnë sovranitetin e këtij shteti: – fiton njohje nga Serbia, e rrjedhimisht edhe nga Rusia dhe Kina – fiton një njohje të plotë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, me ç’rast mënjanon pengesat e integrimit në këtë Union. – fiton vend në OKB dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Në fillim të shtatorit presidenti serb Aleksandër Vuçiq pritet të qëndrojë në Kosovë që të prezentojë planin e tij. Ndërkohë në Maqedoni pritet të udhëtojë kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila pritet të shpalosë argumentet kundër zgjidhjes territoriale të problemit Prishtinë-Beograd.

Një tempo e shpejtë e lëvizjeve dhe aleancave gjeopolitike që ka hutuar gati të gjithë aktorët dhe vëzhguesit e politikës në rajon.

Letrat mbahen fshehur si në tavolinë pokeri.

Se çfarë do të sjellë periudha në vazhdim, askush nuk mund të përgjigjet me saktësi.

lajme të ngjashme