15:08, 20 Mars 2020 Autor: Adriatik Kelmendi

Mbrëmë ishte emisioni im i fundit “Rubikon” në Kohavision.

Kërkoj ndjesë që nuk ia dola ta bëja përshëndetjen, siç mbase do ta kërkonte zakoni, në fund të emisionit. Thjesht, u frikësova se do të më tradhtonte zëri, të mos mund t’i përmbaja lotët. Se ka pasur aq shumë çaste të paharrueshme, të papërsëritshme, ndonjëherë edhe të pabesueshme, përgjatë rrugëtimit tim të përbashkët me Grupin KOHA në këta 22 vjet, kur lotët, që kishin nisur të shpërthenin, i kisha përmbajtur. E ishin çaste për lot gëzimi e për lot zhgënjimi.I kam përmbajtur lotët, lotët e gëzimit, kur në mileniumin e kaluar, më 27 tetor 1998, këmba ime për herë të parë shkeli në redaksinë e “Kohës Ditore”, pasi që më kishin ftuar të shkoja fillimisht si gazetar-praktikant për tre muaj. Ishte realizim i ëndrrës. Katër vjet më parë, si 16-vjeçar, KOHA javore ma kishte botuar një shkrim që e kisha nisur me makinë faksi në redaksi, si një anonimus total. Kur kisha shkelur të njëzetat, kur atëbotë luftohej gjithandej, unë isha aty. Njëri prej tyre. Bashkë me idhujt e mi.Ngjarjet e luftës ishin për lot, por mbeteshin brenda. U përmbajtja edhe kur morëm vesh se militarët serbë na e vranë Bacën Rexhë, në natën e bombardimeve të NATO-s, kur e demoluan redaksinë; u përmbajta edhe kur doli lajmi se është vrarë Vetoni; u përmbajta edhe kur më 2 maj dola në Tetovë dhe vazhduam ta botonim “Kohën” në ekzil; u përmbajta edhe kur u ktheva pas luftës në Kosovë dhe gjatë ditës raportoja për viktimat e luftës dhe në mbrëmje kthehesha për ta parë shtëpinë time të djegur; u përmbajta edhe kur u kthyem në redaksinë e rinovuar; edhe kur po raportoja me rastin e vdekjes së presidentit Rugova; edhe kur po raportoja për herë të parë nga fillimi i bisedimeve për statusin në Vjenë, pastaj nga Këshilli i Sigurimit në New York; u përmbajta edhe kur Ahtisaari më tha në kamera se do ta propozonte Pavarësinë; dhe u përmbajta edhe në ditën kur nga studioja po e udhëhiqja programin special të shpalljes së Pavarësisë; lot nuk derdha as kur GJND-ja tha se Pavarësia është OK dhe me të gjithë ata që i kisha në studio u ngremë në këmbë dhe duartrokitëm; e mbajta veten edhe kur po raportoja se u bëmë me ushtri…

22 vjet! 22 vjet që s’do të mund të ndërroheshin me asnjë periudhë tjetër, me asnjë përjetim tjetër, me asnjë jetë tjetër. Si të ishin 122!

I rrethuar me miq e bashkëpunëtorë, të cilëve u beson dhe të besojnë!

S’ka fat më të madh në jetë se të punosh punën që e do, bashkë me njerëz të mirë, profesionistë e të përkushtuar.

Ka edhe shumë prej atyre që i kam pranuar vetë në punë, në “Kohën Ditore” dhe në KTV, të cilët sot janë ndër gazetarët më në zë dhe me të cilët mburrem.

Por, mbi të gjitha, s’ka nder më të madh sesa ta meritosh besimin e Flakës dhe të Vetonit, motrës dhe vëllait, pa të cilët – e them me bindjen më të plotë – historia e Kosovës do të ishte krejt ndryshe, më e zymtë.

Me 21 vjet ma kishin besuar redaksinë e kulturës e me 23 më kishin bërë redaktor përgjegjës të gazetës më të mirë shqiptare. Si 26-vjeçar ma besuan deskun informativ të televizionit dhe për plot 16 vjet prime-timen për “Rubikon”.

Besuan edhe se intervistat dhe kolumnet e mia meritoheshin të botoheshin dhe sot janë të përmbledhura në katër libra voluminozë.

Vetoni e Flaka më kanë bërë mua që KOHËN ta quaj gjithmonë shtëpi timen, ashtu siç e kanë bërë edhe për qindra kolegë të mi aty.

Absolutisht, asgjë nga ato që kam bërë për 22 vjet në KOHË s’do të ishin të mundura pa mbështetjen, bashkëpunimin dhe përkushtimin e kolegëve të mi të KOHËS, të cilët po t’i përmendja me emër, do të ishte një listë e gjatë, shumë e gjatë.

I nderuar dhe falënderues – për KOHË të kohëve. Përjetësisht!

Juaji,

Tiki

Lajme të tjera