10:00, 17 Mars 2020 Autor: Arbër Ahmeti

Në Kosovë është pothuajse e pamundur të analizohen eventet racionalisht kur ato ndodhin. Duhet së paku një javë pritje për të shënuar ulje sharjet, etiketimet dhe euforia e militantëve të partive politike, derisa çdo analizë racionale dhe e bazuar në fakte të jetë pak më imune ndaj zhdukjes në vorbullën e vrullit  linçues e apologjet të militantëve. Njëjtë ndodhi dhe javën e kaluar ku tema dominante deri në diagnostikimin e të infektuarve të parë me koronavirus ishte mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Qeveria i gënjeu në mënyrë të paskrupullt qytetarët lidhur me këtë çështje në arsyetimin e saj për tërheqjen e mundshme, dhe prapa kishte një ushtri apologjetësh dhe militantësh që dominonin rrjetet sociale. Me të njëjtën neglizhencë qeveria veproi edhe ndaj paralajmërimeve për pezullimin e fondeve amerikane, dhe si pasojë rreth 200 milion euro të planifikuara në kuadër të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit u pezulluan sipas raportimit të mediave.

Ishte zëvendëskryeministri Haki Abazi që dha i pari një shpjegim kontrovers për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Z. Abazi arsyetoi mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova si pjesë e premtimit elektoral të Presidentit Trump për të kthyer trupat nga zonat e luftës, madje nuk u kursye me kaq dhe morri për referencë marrëveshjen mes SHBA’ve dhe Talebanëve, një paralele skandaloze në rastin tonë. Edhe Kryeministri Kurti dha të njëjtin arsyetim duke deklaruar që mundësia e tërheqjes së trupave nuk ka të bëjë me presionin e SHBA’ve kundrejt tarifës, por është nismë në kuadër të tërheqjes së trupave amerikane nga frontet e luftës si Afganistani dhe Siria. Por këto arsyetime nuk kalojnë asnjë test tjetër përveç atij të gënjeshtrës, dhe janë manipulim me qytetarin dhe tentativë për të mbuluar raportet e acaruara mes qeverisë dhe partnerëve tanë në mungesë të një qëndrimi të qeverisë ndaj problemit.

Z.Kurti na gënjeu për shkak se nuk është e vërtetë që ekziston një politikë për ti kthyer të gjitha trupat amerikane, por vetëm ato në zonat e konflikteve në lindjen e mesme ku SHBA‘të janë palë aktive ndërluftuese. SHBA’të kanë një prezencë të madhe të trupave në vendet partnere. Vetëm në Europë SHBA’të kanë të dislokuara mbi 60 mijë trupa ku prin Gjermania me rreth 35 mijë trupa amerikane prezente në territorin e saj , Italia me 12 mijë dhe kështu me rradhë. Në Japoni janë të dislokuara rreth 60 mijë trupa amerikane dhe në Kore të Jugut mbi 25 mijë dhe SHBA’të kanë mbi 200 mijë trupa prezente në territoret e shteteve partnere gjithandej globit. Për SHBA’të është e rëndësishme prezenca e trupave jashtë territorit të saj për të përmbushur interesat strategjike në fushën e sigurisë, forcimin e partneritetit me vendet aleate, parandalimin e konflikteve në rajonet ku trupat amerikane janë të vendosura, dhe deterrencën ndaj shteteve me interesa malinje. Për partnerët e SHBA’ve kjo prezencë përkthehet në përkushtim ndaj sistemit kolektiv të sigurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, thellimit të raporteve dypalëshe dhe imunizimit ndaj akteve të agresionit apo shpërthimit të konflikteve të çfarëdo intensiteti.

Asnjë nga këto trupa nuk është planifikuar të tërhiqet, gjë që do të rrudhte edhe prezencën amerikane në botë, edhe do të pamundësonte arritjen e interesave strategjik të SHBA’ve në parandalimin e përhapjes më të madhe të influencës së vendeve me interesa kundërshtare. Ideja e tërheqjes nuk është kompakte me forward strategy në një kohë kur bota po shkon drejt multi-polaritetit. Premtimi i Presidentit Trump është që të kthehen trupat amerikane të cilat janë të dislokuara në zona të luftës në lindje të mesme, që janë atje si pasoje e konflikteve të filluara në fillim të viteve 2000, madje ky premtim nuk prekë as trupat amerikane në territoret e shteteve partnere të Gjirit Persik. Duke qenë se është e pavërtetë që  SHBA’të kanë filluar tërheqjen e trupave amerikane dhe arsyetimi se tërheqja eventuale nga Kosova do të ishte thjeshtë zbatim i politikave të Presidentit Trump për të përmbushur premtimet elektorale, qeveria synoi që të mbulonte dështimin e saj në kultivimin e marrëdhënieve me partnerët tanë në rast të tërheqjes së mundshme të forcave amerikane.

Disa mund të argumentojnë që prezenca amerikane në Kosovë nuk është në bazë të partneritetit që dy vendet kanë, por si pasojë e rezolutës 1244 që mandatoi NATO’n si përgjegjëse për sigurinë në Kosovë. Edhe pse baza ligjore e prezencës amerikane në Kosovë është e ndryshme prej bazës ligjore të prezencës amerikane në vendet e tjera, kjo prezencë në Kosovë nuk është ekskluzivisht si pasojë e autorizimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ishin SHBA’të ato që pa autorizime nga Këshilli i Sigurimit filluan kampanjën kundër Jugosllavisë që dha si rezultat edhe çlirimin e Kosovës nga forcat serbe edhe shpalljen e pavarësisë me mbështetjen amerikane. Persona të afërt me idetë aktuale të Kryeministrit, kur kanë kritikuar më parë prezencën e trupave amerikane në Kosovë, kanë argumentuar që prezenca amerikane nuk është në bazë të një marrëveshjeje për statusin e forcave, apo siç njihen ndryshe SOFA (Status of Forces Agreements), por në bazë të një rezolute që e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Rrjedhimisht, sipas kësaj logjike, edhe prezenca amerikane në Kosovë është e kufizuar brenda mandatit dhe nuk mund të shihet si produkt i partneritetit. Por ky është një këndvështrim i ngushtë dhe lexim ortodoks e tendencioz pa marrë në konsideratë rrethana tjera edhe më të rëndësishme dhe bashkëpunimin mes SHBA’ve dhe Kosovës.

Së pari marrëveshjet SOFA janë vetëm marrëveshje teknike lidhur me imunitetin dhe privilegjet e trupave ushtarake të huaja, por ato nuk garantojnë sigurinë apo ndërhyrjen e trupave të huaja në rast konflikti. Prezenca e trupave amerikane në Japoni dhe Kore të Jugut është rezultat i traktateve që këto vende kanë me SHBA’të  për mbrojtjen dhe bashkëpunimin në mes vete. Në Nenin IV të dy traktateve respektive parashihet zotimi i mbrojtjes kolektive, ndërsa marrëveshjet SOFA në këto dy raste burojnë nga Neni VI i marrëveshjeve respektive që parashohin prezencë të trupave të huaja brenda territorit të një shteti sovran. Edhe në shtetet tjera që nuk kanë traktat bilateral për asistencën reciproke në fushën e mbrojtjes, marrëveshjet SOFA nuk krijojnë obligime për palët ndaj ambientit të sigurisë të shtetit pritës. Por shumica e shteteve në të cilat janë prezente trupat amerikane janë pjesë e nismave multilaterale apo organizatave të tilla që ndërtohen përreth zotimit dhe garancive të mbrojtjes kolektive, apo siç njihen ndryshe si aleanca. Kosova synon të anëtarësohet në NATO dhe kjo do ti ofronte garancitë e mbrojtjes kolektive të parapara në Nenin V të Traktatit të Washingtonit, por deri atëherë Kosovës zotimin e mbrojtjes ia garanton vetë mandati që prezencës së NATO’s në Kosovë i jep Rezoluta 1244. Një marrëveshje SOFA nuk është e nevojshme për shkak se vetë rezoluta rregullon çështjen e imunitetit dhe privilegjeve, edhe pse kjo rezolutë mund lirisht të konsiderohet si obsolete, ajo ende është baza ligjore e mandatit të KFOR’it në Kosovë. Kësisoj nuk është i nevojshëm duplifikimi i instrumenteve juridike përderisa mandati i prezencës ndërkombëtare në Kosovë i gëzon aspektet që do të mbulonte një marrëveshje SOFA. Sidoqoftë Kryeministri e ka rastin që me angazhimin në dialog ta bëjë një marrëveshje SOFA me SHBA të nevojshme.

Në anën tjetër prezenca e trupave amerikane në Kosovë është vitale për sigurinë dhe i shërben interesave primare të Republikës së Kosovës. Prezenca e këtyre trupave shërben si deterrenti kryesor ndaj kërcënimeve konvencionale dhe jo konvencionale në të gjitha domenet e mjedisit të sigurisë. Kosova ende nuk ka zhvilluar kapacitete adekuate për t’u përgjigjur ndaj këtyre kërcënimeve, pavarësisht a janë këto kërcënime të brendshme apo të jashtme. Në anën tjetër prezenca e trupave amerikane në territoret e shteteve partnere ulë mundësinë e paraqitjes së konflikteve dhe është përkushtim ndaj partneritetit në mes të palëve, pasi prezenca ushtarake amerikane i shërben sigurisë kombëtare të vendit pritës. Një tjetër element interesant që është nxerrur nga studime të ndryshme, e specifikisht në një analizë të një think tanku të asociuar me forcave ajrore amerikane dhe RAND Corporation për të kuptuar rëndësinë e trupave amerikane në shtetet partnere, potencohet që prezenca ushtarake amerikane nuk ndikon në shtyrjen para të interesave strategjike të vendit partner.

Neglizhenca ndaj mundësisë së largimit të trupave amerikane nga Kosova ka prodhuar edhe përshtypjen se fakti që këto trupa janë në Kosovë nuk ka ndikuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë. Edhe pse unë kam rezerva lidhur me një konstatim të tillë, jo domosdo kjo prezencë duhet të prodhoj efekte dhe të lehtësoj arritjen e të gjitha objektivave të Kosovës. Mjafton që kjo prezencë është faktori kryesor që ka prodhuar stabilitet dhe ka qenë deterrent i kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme ndaj ambientit të sigurisë në Republikën e Kosovës. Prania e trupave amerikane në Kosovë duhet të lidhet me nevojën për të thelluar partneritetin me amerikanët pasi që ky partneritet i shërben qëllimeve strategjike dhe interesave kryesore të Republikës së Kosovës.

Tërheqja eventuale e trupave amerikane mbase nuk do të shkaktonte shpërthim të menjëhershëm të konfliktit, por do të krijonte terren që kërcënimet ndaj sigurisë të fillonin ti japin frytet e tyre. Për më tepër baza e Bondsteelit është një nga katër bazat që cilësohet si “forward location”  në Europë, krahas bazave në Poznan të Polonisë, Novo Selo në Bullgari dhe Camp Mihail në Rumani, dhe kjo duhet të shihet si aspekt kontribuues ndaj garantimit të sigurisë në Kosovë dhe jo si forcë shtrënguese që ndikon vullnetin politik të Kosovës. Forcat e KFOR’it nuk do të kishin fuqinë e njëjtë deterrente pa prezencën amerikane, prandaj kultivimi i partneriteti me amerikanët përveç që është ndërtuar në një histori asistence ndaj shtet-formimit duhet të mbetet edhe si interes primar për të garantuar sigurinë kombëtare të Kosovës. Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë, dikur organizata e mbrojtjes kolektive e Europës WEU dhe tash Bashkimi Europian ndajnë të njëjtat shtete anëtare me NATO’n, por vetë fakti që në njërën janë anëtare SHBA’të dhe në tjetrën jo, bënë të gjithë dallimin sa i përket sektorit të sigurisë dhe të mbrojtjes në raport me fuqinë e këtyre organizata për të prodhuar siguri. Për fund, qeveria Kurti duhet të peshojë mes kultivimit të partneritetit me amerikanët dhe refuzimit për të marrë masa krejt standarde për çdo vend që synon ti futet një procesi politik negociator, por për qëndrimet e saj të jetë e sinqerta dhe t’ia transmetoj drejt qytetarëve të Kosovës.

 

(Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore të fokusuara në fushën e teorive të së drejtës ndërkombëtare dhe studimeve të mbrojtjes dhe sigurisë.)

Lajme të tjera