E myti, e myti, Rama grekun! 123 string(12) "Andi Bushati" string(72) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/bushati-2-840x440-1.png" nga Andi Bushati 23.11.2016 10:36 23.11.2016 10:36 Nuk besoj se Edi Rama ka marë ndonjëherë më shumë fjalë pozitive, në faqen e tij në Facebook, se sa gjatë transmetimit live që po i bëhej aty, intervistës së tij me gazetarin grek, Alexis Papahelas. “E ke myt”, “respekte”, “bravo”, “më në fund e tha dikush të vërtetën”, ishin komentet e fansave që e ndiqnin. Dhe duhet pohuar pa droje dhe pa kompleks se një pjesë e tyre ishin të merituara. Të tregosh për një grua në ditët e fundit të jetës së saj, që nuk arrin dot të shkelë në truallin e shtëpisë ku u lind, thjeshtë se është çame; të rrëfesh për kampionë sportivë shqiptarë që u detyruan të ndryshojnë emrat vetëm për të vazhduar karrierën në vendin fqinj; të pohosh se ndaj greqishtfolësve nuk ka asnjë diskriminim në Himarë; të lartësosh shembuj që tregojnë fatin e përbashkët të dy popujve, nuk ke thënë asgjë më shumë se e vërteta. Të dish të bësh humor me fosilet që mbrojnë ende ëndërrat e çmendura të megalidesë dhe të pohosh se, vetëm i përqesh ata që luftojnë për Vorio- Epirin, do të thotë të simbolizosh pjesën më kozmopolite dhe më moderne të shoqërisë sonë. Ky qe Edi Rama në intervistën për televizionin grek “Skai”. Dhe deri këtu ai e përligji entusiazmin e fansave të tij, zemërimin e atyre emigrantëve kokulur që bëjnë punë të dorës së tretë në Greqi, madje edhe krenarinë e atyre që duan t’i shohin liderët e këtij vendi, të flasin pa komplekse përballë fqinjëve. Ata të gjithë u kënaqën. Por për fatin e tyre të keq, ata nuk panë Ramën e vërtetë. Ata të gjithë edhe njëherë më shumë, ranë viktimë e një profili fallco që kryeministri shqiptar po krijon për veten. Ky profil është fryt i një strategjie të qartë. Ai fuksionon thjeshtë: Rama është i pari që provokon, me deklarata në kufijtë e të qenit politikisht korrekt, demonët më ekstremë të nacionalizmit, symbylltësisë, fanatizmit dhe budallallëkun që gëlon ende me shumicë në gadishullin tonë. Ai e di se nuk është e vështirë ta yshtësh këtë luzmë. Prandaj e stimulon dhe e nxit përplasjen me të. E lë pastaj disa kohë të vazhdojë debati publik. Dhe vetëm pasi absurditeti shkon në kufijtë më skajorë, del vetë në arenë për të ngadhënjyer kundrejt tij. Të njëjtën taktikë, ai e ndoqi pak kohë më parë me leshkot e sinqertë të identitetit kosovar. Po të njëjtën metodë përdori edhe për të ringjallur në Beograd, fosilet që mendojnë me trutë e Milosheviçit. Këtë rrugë vazhdoi edhe të martën në mbrëmje në intervistën për “Skai”. Ai e vuri gazetarin grek, Papahelas, në pozicionin e vështirë të atij që duhet ta përballte me paranojat më qesharake që gëlojnë në Athinë. Për të kuptuar se sa rëndë ra në kurth intervistuesi grek, mjafton ta krahasosh intervistën e tij me një të singjashme, që i bëri Ramës gazetari profesionist i Deutche Welle, Tim Sebastian (shiko videon poshtë). Shumëkush, me siguri, e mban mend turpërimin që Rama pësoi një vit më parë në emisionin e tij “Conflict Zone”. Edhe aty, kryeministri shqiptar tentoi ta luajë kartën e kozmopolitit në raport me serbët. Por përgjigjja që mori ishte e prerë. “Ju e bëni qëllimisht këtë, sepse ju e dini se cilët butona duhen shtypur për të provokuar serbët”, i tha Sebastian. Dhe pasi i’a preu shkurt këtë hov prej intelektuali të pavarur, ai e pyeti rreptësisht, për lidhjet me krimin e organizuar, për korrupsionin me lejet e ndërtimit dhe për blerjen e votës. Të gjithë e mbajnë mend se si u kap Rama gafil, kur Sebastian e vuri përpara faktit të kryer, nëse kish gënjyer shqiptarët dje, kur fliste për Ilir Metën, apo po i gënjente sot, kur e mbante në bashkëqeverisje. Ajo e Tim Sebastian, po që qe një intervistë prej gazetari race. Që nuk e trajtoi qytetarin Edi Rama, si një artist që ka bindjet e tij, por politikanin kryeministër, si një burrë që është përgjegjës për aktet e tij. Homologu i tij grek e humbi këtë shans. Ai bëri gafën që e trajtoi Edi Ramën, fiks ashtu siç e kërkonte ai: nga optika e fanatikëve dhe nacionalistëve të vjetëruar grekë. E në këtë ballafaqim, ashtu si çdo shqiptar me një kulturë dhe formim mesatar, i pa mbushur me urrejtje raciste dhe i pa ushqyer me ksenofobi, Rama do shkëlqente. Sepse ai nuk e kishte vështirë të dukej superior përpara mufkave që vazhdojnë të propagandojnë ekstremistët anti shqiptarë. Prandaj ai u tall me ta, i përqeshi, i poshtëroi, i mundi, duke nxitur entusiazmin dhe ngadhënjimin e atyre që shpërthyen në Facebook me shprehjet: “E myti, e myti, Rama grekun”. Por, fatkeqësisht i gjithë ky entusiazëm ishte iluzor. Sepse ajo që ndodhi të martën në “Skai” nuk qe fitorja e kryeministrit real të shqiptarëve (atij që duhet t’u përgjigjet pyetjeve të Tim Sebastian), por ajo e sozisë që vetë Rama ka krijuar, për të gënjyer perëndimin.