Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

E ardhmja e humbur e energjisë në Kosovë: Një dekonstruktim zhvillimor

123
string(13) "Dardan Sejdiu" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/10/sejdiu.jpg"
nga Dardan Sejdiu 29.05.2025 10:11

Për 26 vjet, çdo pushtet në Kosovë e ka ndërtu politikën energjetike mbi të njëjtin model ekonomik dhe e ka shitë këtë model si të vetmen “të vërtetë” të mundshme. Por kjo “e vërtetë” ka prodhu çmime gjithnjë e më të larta për qytetarët, varësi nga importi, dhe një sektor energjetik të lënë pas dore. Ky nuk është model zhvillimor, është dorëzim ideologjik ndaj interesit për profit. Këto të “vërteta” nuk kanë as bazë shkencore, as logjikë ekonomike që i mbron.  Mënyra me të cilën ky model paraqitet “natyrshëm” si i vetmi opsion, tregon jo vetëm mungesë vizioni, por edhe një arrogancë politike që e ka ndërtu sistemin e sotëm të padrejtë.

Me e përshkru krizën e sektorit të energjisë në Kosovë si problem me “subvencione”, “tarifa të ulëta” dhe mosfunksionim të “tregut”, nuk është veç përtesë intelektuale, është dështim ideologjik. “Të vërtetat” për reformën në energji janë përtypje e një recete të dështume tash e 26 vjet që s’i ka sjellë dobi askujt, as Kosovës, as vendeve tjera që e kanë provu. Kriza nuk është se kemi treg të shtrembëruar, por se s’kemi kurrfarë strategjie zhvillimore me drejtim të qartë. Shteti i ka dorëzu krejt instrumentet. Politika s’bën ma politikë, bën Sondazhe dhe Excel. Rezultati? Shtet i bllokum, ekonomi e vjetrrume, varfëri energjetike në rritje, varësi totale prej importit, inflacion në rritje e deficit tregtar që po thellohet çdo ditë.

Problemi s’është se KEK-u po e shet rrymën lirë. Problemi është që askush s’e di çka dojmë me KEK-un. As vizion për kapacitete të reja, as për dekarbonizim, as për zhvillim industrial. Kjo s’ka lidhje me efikasitet, kjo është dështim i shtetit. Zero kapital nga shteti tash e sa vjet, s’është kursim, është shuarje e vullnetit politik. E me e lyp fajin te tarifat, është mashtrim i pastër.

Ekonomi që importon energji e subvencionon konsum, në fakt eksporton vlerë. Deficiti tregtar i Kosovës nuk është kalkulim në excel, është rezultat i drejtpërdrejtë i modelit që importon gjithçka e prodhon pak, shumë pak. Një vend që s’prodhon energji vetë e s’ka as plan me e prodhu, s’ka si me u folë për zhvillim, industri e as për zhvillim. Energjetika është pyetje e sovranitetit ekonomik. Çdo ditë që importojmë, po ia japim dikujt tjetër të drejtën me na vendos çka mundemi me ba nesër. E bash kështu po përshpejtohet edhe zbrazja e vendit.

Historia na tregon që asnjë kapërcim zhvillimor dhe tranzicion energjetik s’ka ndodhë pa shtetin në qendër, si investitor, si drejtues, si garantues. Në Kosovë, shteti është shndërru në spektator. Nuk ndërhyn, nuk investon, e qartazi s’ka as mision për ku po shkojmë.

Qasja zhvillimore e çjerr këtë iluzion. Tregu vetë nuk i rregullon projektet e mëdha e të rëndësishme. Shërbimet publike si rryma, infrastruktura zhvillimore, tranzicioni i gjelbërt, digjitalizmi i arsimit, e uji, lypin planifikim, koordinim e investim. Edhe Keynes-i shpjegon se në kohë krize shteti duhet të jetë më i pranishëm dhe aktiv, një realitet që politika jonë shpesh e harron duke iu dorëzuar tregut të lirë. Sakaq, shtetet që sot i konsiderojmë të zhvilluara, siç sugjeron Chang, nuk janë rritur nëpërmjet “tregut të lirë”, por përmes ndërhyrjeve të mëdha shtetërore. E këtu tranzicioni dhe inovacioni nuk ndodhin pa një shtet që ka vizion dhe guxim, nuk janë as fryt i tregut, as fat i rastit. Kjo është sipas Mazzucato-s përplasja reale: ne që kërkojmë një shtet aktiv dhe përgjegjës nga njëra anë, dhe tjerët që e shohin e tregun si zgjidhje e magjishme e që mbetet një mit që na ka sjellë këtu ku jemi.

Kosova ka nevojë për mision në energjetikë. Jo për një tjetër raport mbi tarifa. Një mision me i ndërtu së paku 500 MWh kapacitete të reja e të pastra për 5 vjet. Me elektrifiku transportin, me i zvogëlu importet, me lidh energjinë me industrinë.  Po, kjo lyp edhe guxim me u ba të gjelbërt, me vizion, me qëllim, me shtet që energjinë e sheh si infrastrukturë të rilindjes, jo si mall për me shitë e ble për profit të spekulatorëve.

Kjo lyp kapital, po edhe vullnet politik. Të parën e kemi mjaft. Të dytën s’po e gjejmë. Mjaft me këtë frikë prej investimit publik. Koha është me i përdor kursimet nacionale e buxhetin e shtetit si motor zhvillimi. Na duhet bankë zhvillimore, fond energjetik, agjenci zhvillimore, çkado që tregon që shteti nuk është veç spektator, por lojtar që angazhohet në fushën e lojës. Politikat e bazuara në profit s’e ndërtojnë shoqninë.

Kosova duhet me refuzu këtë dorëzim ideologjik që shteti s’guxon me pas rol.  Po na shitet ideja që ky është “treg i lirë” kur në fakt s’ka kurrfarë tregu. Kjo lyp kapital, po edhe vizion dhe vullnet politik. Të parën e kemi: por jo domosdoshmërisht në formën e kapitalit të gatshëm për investime të drejtpërdrejta publike, por si kapacitet potencial që mund të aktivizohet përmes politikave të qëndrueshme dhe institucioneve të orientuara drejt zhvillimit. Mjaft me këtë frikë prej investimit publik. Koha është me i përdor kursimet nacionale e buxhetin e shtetit si motor zhvillimi. Na duhet bankë zhvillimore, fond energjetik, agjenci zhvillimore, çkado që tregon që shteti nuk është veç spektator, por lojtar që angazhohet në fushën e lojës. Politikat e bazuara në profit s’e ndërtojnë shoqninë. Politikat që e shohin fitimin si mjet, e jo si qëllim, për një ekonomi më të drejtë, më të qëndrueshme dhe me bazë më të gjerë, janë ato që na duhen.

Kosova duhet me refuzu këtë dorëzim ideologjik që shteti s’guxon me pas rol – as në zhvillim ekonomik, as në mbrojtje të interesit publik.  Po na shitet ideja që ky është “treg i lirë” kur në fakt s’ka kurrfarë tregu. Siç e kemi thënë e dëshmu, nuk kemi as liberalizim të tregut, as konkurrencë.Furnizimi e shpërndarja e energjisë janë në duart e një kompanie të vetme, e cila po përfiton në mënyrë të garantuar, pa rrezik dhe pa përgjegjësi publike.

Kjo s’është kurrfarë reforme. Kjo është një marrëveshje ku një aset strategjik i vendit – energjia – u dorëzua në mënyrë të heshtur. Ky sektor, që duhej të ishte publik, zhvillimor dhe në funksion të qytetarëve, është reduktu në një monopol privat, ku përfitimi i një grupi vjen përmes çmimit që e paguan secili prej nesh.

Polanyi na ka paralajmëruar për rrezikun e kësaj logjike: tregu “vetërregullues” nuk ekziston pa ndërhyrje të shtetit, e zakonisht ndërhyrjet nuk janë neutrale, por ato e rregullojnë tregun për të fortit. Dhe pikërisht kjo po ndodh këtu: kemi një rregullim me dorë, i fshehur nën petkun e lirisë së tregut. Kjo s’është as reformë, as strategji, kjo është privatizim i heshtun i së ardhmes.

E për me e kuptu sa thellë ka shku deformimi i sistemit, mjafton me i pa të dhënat e datës 24 dhjetor 2024. Çmimi për kapacitetin e transmetimit në linjën Mali i Zi , Kosovë arrin 798 euro për MWh për plot 6 orë rresht. Këto janë shifra absurde, pa precedent, që s’janë të shpjegueshme as në krizë, e jo më në operim të zakonshëm. Në të njëjtën kohë, çmimet për Shqipëri, Maqedoni e Bosnjë janë nën 5 euro. Përfitimi nga kjo orë e vetme: 167 mijë euro. Totali për 6 orë? 1 milion euro. A mundet kush me shpjegu këtë diferencë marramendëse? A kemi treg të lirë energjetik pra, apo kemi një skemë të organizuar që po gjeneron fitim privat mbi kurrizin tonë?

Tutje, shtrembërimi i rradhës është ideja që tregu mundet me ndërtu vetë strategji kombëtare. Nuk mundet. Kjo është punë e politikës. Politika duhet me qenë e qartë, e guximshme, zhvillimore. Derisa shteti nuk e merr këtë rol, do të mbesim në varësi, në mungesë investimesh, në kopje të politikave që s’na çojnë askund. Rryma ndoshta nuk do të ndërprehet, por e ardhmja po na shymet përditë.

Sepse në fund, e gjithë kjo nuk është veç çështje tarifash, ose rregullatorësh që s’po veprojnë. Është shumë ma thellë se kaq. Jemi duke jetu në një sistem ku vetë politika publike është ba nënprodukt i interesit privat. Vendimet nuk po merren me pyetjen “çka na duhet si shoqni?” por “qysh mundet dikush me përfitu prej kësaj?”

Kjo s’është veç keqmenaxhim. Është kolonizim i plotë i së ardhmës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme