Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

As shkop, as karrotë, as kredibilitet 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.09.2021 09:13

Në kohë krize, pa marrë parasyshë se çfarë lloji është ajo (Pandemike, politike, ekonomike,  sociale), kredibiliteti i përgjegjësve është vlera më e kërkuar, përpara të gjitha masave dhe  veprimeve të cilat duhet të ndërmirren për tejkalimin e saj.  

Kredibiliteti i adresës kryesore ndërkombëtare në rajonin tonë, apo, i Bashkimit Evropian,  kurrë nuk ka qenë më i ulët që prej vitit 1991 e këndej, kur nisi përfshirja e Brukselit në  menaxhimin me pasojat e shpërbërjes së ish-RSFJ-së. 

Brukseli, siç dihet, vazhdon të mbetet adresa e vetme e dialogut në mes të autoriteteve më  të larta të Prishtinës (Kosovës) dhe Beogradit (Serbisë), pasiqë Asambleja e Përgjithshme  e OKB-së, me Rezolutën e shtatorit të vitit 2010, pati autorizuar BE-në për ta lehtësuar  këtë dialog, me një qëllim të artikuluar më pas, për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse  për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.  

Kështu zatën është edhe në këto ditë, edhe pse Miroslav Lajčak, Emisari Special i BE-së  për këto bisedime, u përforcua ndjeshëm me mbërritjen në Bruksel të Gabriel Esobar-it,  Zëvëndës-Asistentit të ri në State Deparment dhe Emisarit Special për Ballkanin  Perëndimor, kur dialogu mori trajtën e një urgjence në vijim të zhvillimeve të njohura në  Veriun e Kosovës. 

BE-ja ditëve të kaluara bëri vazhdimisht thirrje për shtensionim të situatës në Veri, për  dialog (në Bruksel), dhe për ri-kthimin e Lirisë së lëvizjes në këto anë të Kosovës. Dialogu, për të gjetur zgjidhjen për kthimin e një sigurie të brishtë në Veriun e Kosovës,  (sepse ky është niveli më i lartë i arritur atypari, në segmentin e sigurisë, që prej përfundimit  të luftës, në vitin 1999, e këndej), ka ri-nisur në Bruksel, teksa vetëm pak ditë më parë, në  kulminacionin e tensioneve në Veri, kur vlonin spekulimet për një evoluim të rrezikshëm  të situatës atje, një Raport i Agjencisë së lajmeve ‘Reuters’, konfirmoi që aktualisht BE-ja,  nuk ka realisht fare kredibilitet për tu marrë me Kosovën, me Serbinë dhe me Ballkanin  Perëndimor në përgjithësi. 

Një ndërmjetësues ndërkombëtarë (si shtet, apo si organizatë, kjo nuk ka fare rëndësi), kur  ka në dorë mundësinë për të gjetur zgjidhjen për një problem madhor, në ‘arsenalin’ e vet  politik, diplomatik, shpeshherë edhe ushtarak, duhet ta ketë edhe shkopin, edhe karrotën  (‘Stick and carrot’). 

Në të kundërtën, ky ndërmjetësues nuk mund të bëjë diçka, pos nëse palët edhe ashtu janë  afër për ta bërë Marrëveshjen, teksa kërkojnë sebepin për ta bërë këtë gjë, duke mos e  humbur ‘fytyrën’. 

Në rastin e BE-së, tash e disa vjet, Brukseli ka mbetur pa të gjitha ‘rezervat’ e politikës së  shkopit dhe karrotës, apo, BE-ja mund të premtojë (më mirë thënë, të paralajmërojë) ashtu,  fare në mënyrë të përgjithësuar, një të ardhme të lumtur të gjashtë shteteve të Ballkanit  Perëndimor në BE, por kur dhe si do të vjen kjo e ardhme, këtë nuk e di kush as atje në  Evropë, as këtu në Ballkanin Perëndimor.

BE-ja, nën kryesimin e Sllovenisë, po bëhet gati për një tjetër Samit të radhës me shtetet e  WB6 (shkurtesa e njohur për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor), që do të mbahet  javën e ardhshme, me 6 tetor.  

Nikoqiri i këtij Samiti, Sllovenia, e cila vet ka përvojë të bollshme historike në këtë aspekt,  (apo, ia di hallin këtyre gjashtë shteteve), së bashku me disa shtete të tjera anëtarë të BE së, synon që në këtë Samit të ofrohen garanca për integrimin e tyre në BE, natyrisht, pasiqë  

të përmbushen kriteret për anëtarësim, në një të ardhme të padefinuar në aspektin kohor. Por, siç del edhe nga Raporti i Agjencisë ‘Reuters’, edhe një Deklaratë e këtillë politike  me një zotim dhe me garanca të përgjithësuara për anëtarësim të WB6 në BE, ashtuqë të  ketë një shtytje, një motivim të mirëfilltë për Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë  e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë, në transformimin politik, ekonomik dhe  shoqëror të tyre, nuk arriti të merr përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare në BE, apo kundër  saj kanë dalë Franca, Holanda dhe Danimarka.  

Këtu duhet ri-kujtuar që qysh në Samitin e BE-së në Selanik, të mbajtur në vitin 2003, ishte  bërë një Deklaratë e këtillë zotuese, për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Ballkanit. Asokohe, ky akt i BE-së, me të drejtë u kualifikua si i guximshëm, i drejtë dhe largpmamës. 

Asnjërin prej këtyre tipareve nuk e ka BE-ja e sotme, dhe as liderët kryesorë të saj. Me një kredibilitet të këtillë, për të cilin nuk mund të thuhet asgjë më shumë, BE-ja e ka  tej mase të vështirë të ndikojë në stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse, nga  perspektiva e Brukselit së paku, ‘lëndë djegëse’ për këtë ndikim është oferta për to, për tu  bërë shtete anëtare në BE. 

Kjo ofertë nuk ekziston që prej vitit 2018-të e këndej. Kemi të bëjmë me një vendnumërim  të plotë të BE-së. 

Kjo politikë e BE-së, realisht, është një pengesë e pakapërcyeshme për arritjen e  Marrëveshes Ligjësisht Obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë në një të ardhme të afërt. Pastaj, vështirë është t’i iket raportit shkak-pasojë të kësaj politike dhe thuaja të gjitha  tensioneve politike dhe të sigurisë në muajtë e fundit në këtë pjesë të Evropës. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme