Klubet e Taekwondo-së ankohen: U manipulua Statuti i Federatës (VIDEO) NULL NULL 28.11.2025 19:23 28.11.2025 19:23 Shtatë muaj pasi e refuzoi kuvendin zgjedhor të janarit, ministria kërkoi nga Federata e Taekwondo-së që të thërrasë kuvend të ri të punës dhe kuvend zgjedhor. Më 28 tetor, kryesuesi i Komisionit për Licencim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fidan Shatri, nisi një e-mail në adresë të Federatës së Taekwondo-së. Në e-mailin të cilin ia adresoi sekretares së atëhershme të federatës, Rilinda Gjonbalajt, Shatri kërkoi nga kjo federatë që të përsëritet Kuvendi i Punës dhe Kuvendi Zgjedhor i mbajtur më 31 janar 2025. Në këtë e-mail, Ministria konstatoi se në bazë të Udhëzimit Administrativ 01/2022 dhe rekomandimit për Licencë të kësaj federate dhe Statutit të saj, të drejtë vote në Kuvendin e ri, kanë vetëm klubet e licencuara deri më datën 30 janar 2025. Propozimi që Kuvendi të mbahet me vetëm 8 klube, ngjalli reagime nga pesë klubet të cilat u lanë jashtë, në mesin e tyre edhe klubi i parë në historinë e Taekwondo-së në Kosovë. Klubi “Prishtina” shkroi se është totalisht e padrejtë dhe e jashtëligjshme të ju cënohet e drejta klubeve të cilat kanë qenë dhe janë aktive në vazhdimësi. Kundër thirrjes së Ministrisë ishte edhe klubi “Dardanët”, të cilit iu bashkëngjitën në reagim edhe klubet Fight Factory, Optimus, House of Taekwondo dhe Fushë-Kosova. Kryetari i këtij klubi, Arben Gashi, e vlerësoi këtë si ndërhyrje në autonominë e Federatës dhe listoi dispozitat ligjore dhe nenet e Statutit që pohoi se janë shkelur në këtë rast. Megjithatë, reagimet e paralajmërimet e klubeve se do të ndjekin rrugët ligjore, nuk u përfillen nga askush. Më 29 tetor, Rilinda Gjonbalaj ftoi klubet për pjesëmarrje në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Punës dhe Zgjedhor që u vendos të mbahej më 8 nëntor dhe në ftesë theksoi se në këtë kuvend kanë të drejtë vote vetëm tetë klube: “Tiger”, “Deart”. “Fight Factory”, “House of Taekwondo”, “Kaçaniku”, Olympic – Art”, “Puma” dhe “Otimus”. Në këtë Kuvend u votuan të gjitha pikat për përgatitjen e Kuvendit Zgjedhor, u miratuan plane e raporte, si dhe ndryshimet e Statutit të Federatës. Të shtunën e 8 nëntorit, delegatët e atij kuvendi votuan për pranimin e klubit “Dardanët”, si anëtar i rregullt i Federatës, si dhe vendosën që Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor të mbahet katër ditë më vonë, më 12 nëntor. E atë ditë, Arsim Agushi u rizgjodh kryetar edhe për një mandat tjetër. Në mesin e tetë klubeve të cilat patën të drejtë vote në këtë kuvend ishte edhe klubi “Kaçaniku”, për të cilin kryetari i klubit “Dardanët”, Arben Gashi, deklaroi se ishte jofunksional. Gashi nuk e nënshkroi raportin e verifikimit të klubeve të Taekwondo-së, ani pse ishte anëtar i këtij komisioni dhe ishte i pranishëm në të gjitha vizitat në terren. Fotografitë që komisioni ia nisi ministrisë vëretetojnë deklaratat e Arben Gashit. Aty shihet se klubi “Kaçaniku” mban ushtrimet në një klasë shkolle, pa tatami dhe aty nuk duket asnjë pajisje për sportistë. Megjithatë, në raport, komisioni konkludoi se mangësia e vetme që gjetën te ky klub është se nuk mbajnë evidenca të rregullta për sportistët dhe se nuk kanë kartela. Kjo gjetje u konstatua te pesë nga 10 klubet të cilat u verifikuan e që janë të licencuara nga Ministria e Sportit.