Kina po shndërrohet në “babën” e automjeteve NULL NULL 29.11.2024 17:55 29.11.2024 17:55 Makina elektrike BYD të grumbulluara për t'u ngarkuar në një anije për eksport në portin Taicang në Suzhou. Foto: Agence France-Presse — Getty Images Dy dekada më parë, Kina kishte kapacitete minimale për prodhimin e makinave, ndërsa sot ajo prodhon dhe eksporton më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ky transformim i jashtëzakonshëm është nxitur nga investimet masive të qeverisë kineze dhe përparimet teknologjike, duke e bërë këtë shtet lider në prodhimin e automjeteve elektrike. Nga përdorimi i brendshëm te eksportet e mëdha Kina ka tregun më të madh të makinave në botë, gati sa tregjet e ShBA-së dhe Europës së bashku. Ndërsa kërkesa brenda vendit ka rënë për shkak të ngadalësimit ekonomik, kapaciteti i prodhimit është rritur në nivele të larta, duke e shtyrë Kinën të kërkojë tregje ndërkombëtare. Në vitin 2023, ajo eksportoi 1.7 milionë makina elektrike, një shifër që tejkaloi çdo vend tjetër, përfshirë Gjermaninë. Automjetet elektrike kineze kanë gjetur tregje të mëdha në Europë dhe Azinë Juglindore, falë çmimeve konkurruese dhe teknologjisë së avancuar. Për më tepër, Kina eksporton edhe makina me motorë tradicionalë, të cilat gjejnë blerës në vende me të ardhura mesatare si Rusia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme. Avantazhet e Kinës në automjetet elektrike Liderët kinezë filluan investimet në makinat elektrike më shumë se 15 vjet më parë, për të ulur varësinë nga nafta e importuar. Qeveria kineze ka subvencionuar fuqishëm prodhuesit, duke i mbështetur me mbi 230 miliardë dollarë (218 miliardë euro) nga viti 2009. Ky mbështetje ka ndihmuar kompanitë si BYD të ofrojnë makina elektrike cilësore me kosto më të ulët se konkurrentët perëndimorë. Gjithashtu, Kina kontrollon pothuajse të gjithë zinxhirin e furnizimit për prodhimin e baterive elektrike, një faktor kyç që ul ndjeshëm kostot e prodhimit dhe e mban Kinën në krye të tregut global. Sfida nga tarifat ndërkombëtare Pavarësisht suksesit, disa vende si ShBA-ja dhe Bashkimi Europian kanë vendosur tarifa shtesë për makinat elektrike kineze, duke synuar mbrojtjen e industrive vendase. Këto tarifa përfshijnë taksa antidumping dhe anti-subvencion. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se tarifat vështirë se do ta ndalojnë dominimin e Kinës, duke qenë se ajo ofron produkte cilësore me çmime më të ulëta, shkruan The New York Times, përcjell Klankosova.tv. Perspektiva e Kinës Ndërsa bota përballet me këtë “cunam” të makinave kineze, është e qartë se Kina nuk do të ndalet së udhëhequri tregun global të automjeteve, veçanërisht në epokën e tranzicionit drejt automjeteve elektrike. Kombinimi i mbështetjes qeveritare, kapaciteteve të mëdha dhe inovacionit teknologjik e bën Kinën një forcë të pakonkurrueshme në këtë sektor.