KFOR-i diskuton me kryetarët e 15 komunave perëndimore për perspektivën e të rinjve NULL NULL 16.11.2023 10:51 16.11.2023 10:51 Kryetarë komunash, drejtorë të drejtorive të kulturës dhe përfaqësues të pakicave të Kosovës perëndimore, të mërkurën kanë zhvilluar një takim në Kampin Villaggio Italia në Pejë. Takimi u drejtua nga kolonel Gabriele Vacca, komandant i Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, dhe ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, transmeton Klankosova.tv. Ky takim, sipas njoftimit nga KFOR-i, synoi të lehtësonte dialogun lidhur me perspektivën e të rinjve në Kosovë. Në takim thuhet se u theksua dëshira për të përmirësuar mundësitë e punësimit dhe rritjes së të rinjve, duke i inkurajuar ata që të ndjekin karrierën e tyre në Kosovë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Pjesëmarrësit, përfshirë ish-drejtorin e Caritas-it venecian, drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të komunave, drejtorin rajonal të OSBE-së, prorektoren e Universitetit të Pejës dhe të tjerë, kontribuuan me njohuri të rëndësishme në lidhje me këtë çështje. Ky takim u tha se ka qenë një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së bashkëpunimit për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për të rinjtë e Kosovës. “Komanda Rajonale Perëndimore e Forcës së Kosovës (KFOR), në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vazhdon të kontribuojë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media. /Klankosova.tv