Kapet gjysmë kilogrami kokainë në Vërmicë (FOTO) NULL NULL 31.10.2025 08:38 31.10.2025 08:38 Foto nga Dogana e Kosovës Një rast i posedimit të paautorizuar i substancave narkotike është zbuluar mbrëmjen e së enjtes në pikëkalimin kufitar të Vërmicës. Siç njofton Dogana e Kosovës, rasti është evidentuar pas selektimit për kontroll të një automjeti që po hynte nga Republika e Shqipërisë në Kosovë. Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit në vijën e dytë, nën ulësen e shoferit është gjetur një qese najloni e tejdukshme që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 500 gramë, transmeton Klankosova.tv. Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë kontrollit trupor të personit të dyshuar është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar marihuanë, me peshë rreth 0.57 gramë. Personi i përfshirë është arrestuar dhe rasti është dorëzuar për trajtim të mëtejshëm tek njësitet kompetente të hetimeve të Doganës dhe Policisë së Kosovës. Njësia për hetime ka konfirmuar përmes testit fushor se substanca e sekuestruar është e llojit kokainë. “Kontrolli i mëtejshëm i automjetit është kryer edhe përmes skanerit në bashkëpunim me autoritetet doganore të Republikës së Shqipërisë, ku nuk janë gjetur materiale të tjera të dyshimta. Drejtoria e Hetimeve të Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të vazhdojë veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”.