Kandiq për varrezën masive në Kalludër të Vogël: 27 vjet kërkim për të vërtetën NULL NULL 01.08.2026 09:35 01.08.2026 09:35 Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, paralajmëron se policia serbe kishte dijeni për krimin që nga dita e vrasjes, por në vend që ta hetonte dhe t’i arrestonte autorët, urdhëroi që trupat të groposeshin. Sipas saj, në këtë mënyrë civilët shqiptarë të vrarë u bënë mbetje mortore që duhej të zhdukeshin, ndërsa krimi të fshihej. Dyshohet se në fshatin Kalludër e Vogël, në Komunën e Zubin Potokut, ndodhet një varrezë masive e civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të asaj periudhe – 23 shqiptarë u vranë më 19 prill 1999, ndërsa publiku ka prova për këtë që nga viti 2013, shkruan RTK. Deri më sot nuk është zhvilluar asnjë hetim konkret. Dëshmia që zbuloi krimin Informacioni për varrezën e mundshme masive u bë publik më 7 janar 2013, kur gazeta “Zëri” publikoi një artikull dhe dëshminë e serbit Ranko Tepavac për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe groposjen e fshehtë të trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël. Kjo dëshmi ishte dhënë nga Tepavac para hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që më 7 shkurt 2003, thuhet në artikullin autorial të drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, të publikuar në portalin “Pescanik”. Natasha Kandiq shkruan se Tepavac e përshkroi ngjarjen në detaje: gjatë luftës ai qëndronte në Kalludër të Madhe dhe pa një grup civilësh shqiptarë që u ndaluan nga grupi i Jovica Utviqit nga Kalludra e Vogël. Utviqi, shton Kandiq, ua mori paratë dhe sendet me vlerë, duke u premtuar se do t’i linte të vazhdonin rrugën drejt Ulqinit, por më pas i urdhëroi të ktheheshin dhe, sapo ata e bënë këtë, hapi zjarr dhe i vrau. Dikush nga banorët e fshatit e njoftoi menjëherë policinë për vrasjen. Policia mbërriti në fshat dhe, sipas dëshmisë së Tepavacit, urdhëroi: “Groposini ata që i vratë”. Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës nuk disponojnë të dhëna që UNMIK-u dhe Policia e Kosovës, pas vitit 2003, të kenë ndërmarrë ndonjë hap për të verifikuar lokacionin ose për të zhvilluar hetime. Rruga drejt Kalludrës së Vogël Rikonstruktimi i detajuar i ngjarjes u publikua në vitin 2024 në librin e dytë të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Libri i Kujtesës së Kosovës, me titullin “Dinjitet për të Zhdukurit”. Në fillim të prillit 1999, ndër aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë u përhap lajmi se policia serbe po arrestonte anëtarë të njohur të partisë. Për këtë arsye, një grup aktivistësh – mes tyre Faruk Spahiu (më vonë kryetar i Mitrovicës së Jugut nga viti 2000 deri më 2005), Adem Beqiri, Adem Ademi, Sahit Berani, Hasan Dërvari dhe Demir Ahmeti – u strehuan në fshatin Kotorr. Atje u lidhën me Xhafer Behramin, njohës i mirë i terrenit, i cili pranoi t’i kalonte përmes maleve drejt Malit të Zi. Grupit iu bashkuan edhe shumë banorë të tjerë – gjithsej rreth njëzet persona, përfshirë anëtarë të familjeve Mëziu dhe Ujkani, si dhe Idriz Rrecaj. Kolona u nis nga Kotorri më 19 prill 1999, rreth orës 15:00, në drejtim të Malit të Zi. Behrami i paralajmëroi se rruga ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, por të gjithë këmbëngulën të vazhdonin. Me të shkoi edhe pjesëtari i UÇK-së, Shaban Abazi, i armatosur me bomba. Ndarja e grupit dhe të shtënat Kolona eci tërë natën nëpër pyjet përreth fshatit Prevllakë. Kur panë drita në largësi dhe, nga paniku, menduan se ishin forca serbe, grupi u nda. Ata thërrisnin njëri-tjetrin, por era ua mbulonte zërat; u ribashkuan vetëm rreth njëzet minuta më vonë dhe atëherë vunë re se mungonin Xhevat Llausha, Faruk Spahiu dhe Ismet Ferizi. Sipas dëshmisë që Faruk Spahiu i dha Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd në vitin 2001, ai, sapo pa dritat, u shtri përtokë dhe mbeti i palëvizshëm; të njëjtën gjë bënë edhe Ismet Ferizi dhe Xhevat Llausha. Kur u ngritën, vazhduan drejt perëndimit, kaluan natën në një shtëpi të braktisur, ndërsa ditën tjetër në Zubin Potok u ndaluan nga një civil i armatosur dhe u dërguan në stacionin e policisë. Pas marrjes në pyetje, ata u liruan dhe u kthyen në Mitrovicë. Pjesa tjetër e kolonës vazhdoi drejt Kalludrës së Vogël. Kur nga një lartësi panë serbë në kodrën përballë, dikush bërtiti që të iknin. Më pas u dëgjua një e shtënë dhe urdhri që të ndalonin. Demir Ahmeti dhe Shaban Abazi, sipas dëshmisë së Behramit të vitit 2021, arritën të iknin, ndërsa Xhafer Behrami shkoi pas tyre. Pjesa tjetër e grupit u kthye drejt përroit. Pranë fshatit Dren, Demir Ahmeti vendosi të dorëzohej dhe shkoi drejt shtëpisë së një pylltari serb që e njihte, me emrin Lane. Behrami thotë se e dëgjoi Demirin duke e thirrur pylltarin në emër, por nuk dëgjuan të shtëna. Të nesërmen, Behrami dhe Abazi u kthyen në Kotorr. Pas luftës, ai mësoi se Xhevati, Faruku dhe Ismeti, të cilët ishin ndarë nga kolona atë natë, kishin mbijetuar. Fati i atyre që vazhduan rrugën drejt Kalludrës së Vogël mbeti i panjohur deri në dëshminë e Tepavacit në vitin 2003. Çnjerëzimi i viktimave Në artikullin e saj për “Pescanik”, Natasha Kandiq paralajmëron se policia serbe kishte dijeni për krimin që nga dita e vrasjes, por në vend që ta hetonte dhe t’i arrestonte autorët, urdhëroi që trupat e civilëve shqiptarë të groposeshin. Sipas saj, viktimat u trajtuan si mbetje mortore që duhej të largoheshin, ndërsa krimi të fshihej. Kandiq shton se UNMIK-u dhe Policia e Kosovës, që nga shkurti i vitit 2003, kishin informacione për krimin dhe vendin e varrosjes, por nuk ka të dhëna se është zhvilluar ndonjë hetim efektiv apo verifikim i lokacionit. Një qasje e tillë, si dhe mosveprimi shumëvjeçar i institucioneve përgjegjëse, përbën, sipas saj, vazhdim të çnjerëzimit të viktimave: atyre u është mohuar e drejta për identitet dhe varrim dinjitoz, ndërsa familjeve të tyre e drejta për të vërtetën, për një varr dhe për një vend kujtese. Kërkimi për të vërtetën Sipas të dhënave të mëhershme, më 19 prill 1999, në zonën e Drenicës dhe Kalludrës, në Komunën e Zubin Potokut, u rrëmbyen 23 shqiptarë – i ashtuquajturi “grupi i intelektualëve”, shumica prej të cilëve ishin nga rajoni i Mitrovicës. Edhe pas më shumë se 27 vjetësh, fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht. Institucionet e Kosovës kanë deklaruar disa herë se dokumentacioni zyrtar tregon për përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, duke bërë njëkohësisht thirrje për bashkëpunim dhe hapjen e arkivave me qëllim zbardhjen e plotë të rastit. Pritet që gërmimet e mundshme në këtë lokacion të ndihmojnë në ndriçimin e njërit prej krimeve më të rënda të luftës që forcat serbe kryen në Kosovë. Familjet e të zhdukurve vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë. /rtk