Jamie Shea i impresionuar me progresin e FSK-së NULL NULL 25.10.2017 13:39 25.10.2017 13:39 Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti në takim ish-zëdhënësin e NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, aktualisht zëvendës ndihmës sekretar i Përgjithshëm për sfidat në ardhje të sigurisë në NATO, zotëri Jamie Shea. Gjatë takimit, Berisha i shprehu mirënjohjen për gjithë kontributin e tij gjatë shërbimit në detyrën e zëdhënësit të NATO-s, duke e cilësuar atë si një prej ushtarakëve i cili përforconte shpresën e popullit të Kosovës, në një periudhë mjaft të rëndë dhe duke shtuar se Jamea Shea është emër i njohur për secilin qytetar të vendit tonë. Ministri i FSK-së u fokusua sidomos tek planet për avancimin e misionit të FSK-së, që ka dalë si nevojë nga procesi i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, si dhe duke vlerësuar përgatitjet dhe gatishmërinë operacionale të FSK-së, ai tha se është kohë e duhur që me angazhimet e faktorëve institucionalë dhe politikë të vendit të përmbyllim, të gjithë bashkërisht, këtë proces me vendim politik, në konsensus të plotë, të koordinuar brenda vendit, në transparencë të plotë me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Nga ana e tij ish-zëdhënësi i NATO-s, tha se ndjehet i impresionuar me progresin e arritur në zhvillimin e FSK-së dhe vlerësoi se të gjitha angazhimet e mëhershme, kontributi dhe sakrifica për paqe dhe siguri në Kosovë, kanë bërë që Kosova të prosperojë e pavarur në rrugën e saj, transmeton Klan Kosova.