Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Izraeli njofton zgjerim të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar

NULL NULL
29.05.2025 13:29

Qeveria izraelite ka miratuar ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, në atë që konsiderohet si zgjerimi më i madh i vendbanimeve në dekadat e fundit.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, thanë se disa nga këto vendbanime tashmë ekzistojnë si “outpost”-e të ndërtuara pa miratimin e qeverisë, por tani do të legalizohen sipas ligjit izraelit.

Çështja e vendbanimeve është një nga pikat më të nxehta të konfliktit izraelito-palestinez. Ato konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, megjithëse Izraeli e kundërshton këtë interpretim, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Katz tha se ky vendim “parandalon krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte Izraelin”, ndërsa presidenca palestineze e cilësoi veprimin si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Organizata izraelite kundër vendbanimeve “Peace Now” paralajmëroi se vendbanimet e reja do të “riformojnë në mënyrë dramatike Bregun Perëndimor dhe do ta thellojnë më tej pushtimin”.

Që nga lufta e Lindjes së Mesme më 1967, Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që strehëzojnë afërsisht 700,000 hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor – territore që palestinezët i konsiderojnë pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.

lajme të ngjashme