Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Flet i mbijetuari i Srebrenicës, tash nënkryetar i RS-së: Kujtimet janë të freskëta, sikur të ndodhte dje

NULL NULL
11.07.2026 18:13

Qamil Durakoviq, nënkryetar i Republikës Sërpska në Bosnjë, i mbijetuar i Masakrës së Srebrenicës, në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ka folur në 31-vjetorin e gjenocidit.

Durakoviq tregoi për emocionet e përziera në këtë përvjetor, sfidat e jetesës së përditshme dhe betejën e vazhdueshme me ata që tentojnë ta mohojnë të kaluarën, e të cilët thotë se janë shumicë në Serbi.

“Ne që jetojmë në Srebrenicë, emocionet i kemi të përziera sepse në përvjetorë si ky ne shohim shumë njerëz, familje e miq që vijnë për një ditë si kjo, siç është 11 korriku. Kur ata shkojnë, ne mbesim për të vazhduar jetët tona dhe për të bërë luftën tonë për të vërtetën”, thotë ai.

Përvjetori, thotë Durakoviq, secilit që e ka mbijetuar gjenocidin, ua kthen emocionet nga viti i largët 1995.

“Kështu që disi krejt janë të përziera: trishtimi, fati, mbase edhe keqardhja – kjo mbase për arsyen që ne, edhe pas 31 viteve pas gjithë asaj që ndodhi, kemi ata që e mohojnë krejt këtë ngjarje. Ata mohojnë krejt çka bëjmë ne e të gjithën që ndodhi në Srebrenicë. Kjo mbetet lufta jonë më e madhe, që të flasim të vërtetën dhe ta mbrojmë atë. Në mënyrë që Srebrenica askujt më kurrë të mos i përsëritet”, u shpreh i mbijetuari i kësaj masakre.

Durakoviq më tej tregon se ka qenë 16 vjeç kur ndodhi masakra. Thotë se kujtimet nga ajo ditë janë sikur ajo të ketë ndodhur dje.

“Dhe sot, për shkak të pozitës që mbaj, duhet që të jem i kujdesshëm, në mënyrë që të jemi të përgjegjshëm, që të jemi mikpritës ashtu siç duhet. Unë personalisht nuk kam kohë që ta shpreh emocionin në ditë si kjo, por ne që jetojmë këtu, këtë gjë e bëjmë të nesërmen dhe në ditët që vijnë, duke mbledhur forcat e duke kujtuar krejt çka ndodhi”, tha ai.

Dihet mirëfilli se shteti serb mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndonëse ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm pikërisht për këtë vepër.

E Durakoviq, duke folur për mohimin e gjenocidit dhe incidentet që ndodhën sot në Beograd, thotë: “Sa i përket mohimit dhe incidenteve që ndodhën në Beograd sot rreth përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, ky është problem plotësisht i tyre”.

“Ne po bëjmë atë që është obligimi ynë, që ta ruajmë të vërtetën e bazuar në fakte. Pra, Gjykatat Ndërkombëtare kanë dhënë gjykime se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi. Ata që e mohojnë këtë nuk janë pjesë e botës së civilizuar”.

“Para dy viteve, Asambleja e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën e përkrahur nga shumica e botës së civilizuar, me të cilën u vendosën në anën e së vërtetës. Ata që janë kundër janë të vetizoluar; u mbetet atyre të vendosin se kur do të çlirohen nga kjo kthetër e së kaluarës. Këtu problemi është politika e jo populli. Ne kemi shtrirë dorën, jemi kthyer të jetojmë këtu. Kur dikush mendon që t’i mohojë faktet, ai jeton në iluzione”, deklaroi nënkryetari i Republika Sërpskas.

Ai thekson se “në Serbi ka shumë pak njerëz që janë në anën e së vërtetës; ata luftojnë për të vërtetën, por janë shumë pakicë”.

Sipas tij, “shumica dërmuese në Serbi janë në qëndrimet e qeverisë e të presidentit të saj dhe të gjithë atyre që disi i shtyjnë ata që të jenë simpatizantë të tyre. Nëse pushteti do të ndërronte qëndrim, mendoj se populli do t’i ndiqte duke bërë të njëjtin veprim”, u shpreh Qamil Durakoviq, nënkryetar i Republikës Sërpska në Bosnjë, i mbijetuar i Masakrës së Srebrenicës.

lajme të ngjashme