Istogu nikoqir i finales së parë të hendbollisteve NULL NULL 29.04.2022 14:11 29.04.2022 14:11 Të shtunën mbrëma zhvillohet ndeshja e parë e finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Nga ora 20:30 në palestrën e qytetit në Istog takohen Istogu e Ferizaj. Pritet atmosferë e bukur sportive dhe numër i madh i shikuesve. Po ashtu pritet lojë e fortë dhe cilësore. Istogu gjatë stinorit të rregullt i ka fituar dy përballjet me Ferizajn. Në fakt Istogu ka fituar të gjitha 22 ndeshjet duke përfunduar në vendin e parë. Në gjysmëfinale të plejofit vashat istogase e eliminuan Vushtrrinë pas dy ndeshjeve. Ferizaj në stinorin e rregullt kishte 18 fitore e katër humbje. Përfundoi i treti. Në gjysmëfinale të plejofit, Ferizaj e kaloi Prishtinën pas tri ndeshjeve të forta. Ndeshja e tretë dhe vendimtare u luajt të mërkurën në kryeqytet, ndërsa u fitua nga skuadra ferizajase me një gol dallim. Të dy skuadrat kanë në përbërje lojtare cilësore dhe me përvojë. Andaj shpresohet që ndeshja të jetë me kualitet, e denjë për finale të plejofit.