Islami: Kauza e palestinezëve është e drejtë, por metodat janë të papranueshme (VIDEO) NULL NULL 10.10.2023 22:15 10.10.2023 22:15 Opinionisti Dardan Islami, ka thënë se kauza palestineze në raport me Shtetin e Izraelit është e drejtë, mirëpo metodat që po i përdorin ata për t’i realizuar këto kauza, janë të papranueshme. “Nëse e shikojmë kauzën palestineze, nuk njoh njeri që nuk e përkrah, por pastaj metodat e palestinezëve janë krejtësisht të papranueshme, duke filluar nga viti 1972 në Munih në Lojërat Olimpike, në mënyrë shumë të egër i kidnapuan dhe i vranë e i ekzekutuan. Po flasim për një terrorizëm shumë të egër. Kemi rastet e autobusëve në Tel Aviv e Egjipt, kanë vrarë civilë”, thotë ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova. Tutje, ai thotë se dallimi mes Hamasit dhe UÇK-së është rrënjësor pasi ushtria jonë nuk ka bërë sulme të tilla siç po bëjnë palestinezët. “UÇK-ja nuk e ka bërë këtë. Kjo është rruga e shkurtër dhe e lehtë, por nuk fiton përkrahje. Këto janë veprime përtej ISIS-it. Ne të gjithë jemi për një shtet palestinez, të kenë paqe, sepse ne e dimë çka është. E kemi pak a shumë të njëjtin problem. Kemi shumë probleme tona që të marrim anë atje. Por zyrtarisht që jemi në një vijë me kryeministrin, i cili përfundimisht, pas shumë zigzageve, megjithatë ka rënë në binar. Kemi një deklaratë zyrtare e shtetit tonë, që ka marrëdhënie me Izraelin, e jo Palestina fatkeqësisht”, deklaroi Islami. /Klankosova.tv