Ish-kryesuesi i KOSTT-it: “Elektrosever” është njëjtë si KEDS, Kosova ka krijuar pavarësi energjetike (VIDEO) NULL NULL 21.06.2022 18:26 21.06.2022 18:26 Ish-kryesuesi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë (KOSTT), Naim Bejtullahu, ka komentuar sot udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë mes Kosovës e Serbisë. Ai tha se marrëveshja e energjisë ka edhe pjesën e implementimit të KOSTT-it, që tashmë, sipas tij, është realizuar dhe janë krijuar kushte për ta implementuar marrëveshjen mbi bazat e ligjeve të Kosovës për energji. Bejtullahu ka folur edhe për kompaninë “Elektrosever” që sipas marrëveshjes do ta bëjë furnizimin e pjesës veriore me energji, teksa shtoi se kjo kompani nuk mund të blejë energji nga KOSTT-i, por këtë duhet ta bëjë nga KEK-u dhe cilido furnizues tjetër, por sipas tij është në zonën tregtare të KOSTT-it, apo në bazë të ligjeve të Kosovës. “Trafostacioni në Vallaq gjithmonë ka qenë aset i KOSTT-it. Është në librat e KOSTT-it dhe i vetmi problem ka qenë që KOSTT s’ka pasur qasje në asetin e vet. Ndërsa, tani është krijuar mundësia dhe mund të filloj të operoj në mënyrë efektive edhe këtë nënstacion”. “”Elektrosever” nuk është distributor, është furnizues me shumicë e pakicë, i cili e blenë energjinë, bën marrëveshje me KEDS-in, bën marrëveshje me KOSTT-in, krijon atë qasjen e palës së tretë, i paguan taksat e nevojshme KEDS-it dhe KOSTT-it dhe përmes rrjetit të KOSTT-it dhe KEDS-it ua shet konsumatorëve dhe më pas faturat i arkëton si të ardhura në shitje”, është shprehur Bejtullahu në “Info Magazine” në Klan Kosova. Tutje, ai tha se kompania serbe “Elektrosever” do ta bëjë faturimin e energjisë, dhe sipas tij, kjo do të jetë nën menaxhimin e Kosovës, ashtu siç është rasti i KEDS-it. “Unë e lexova udhëzuesin dhe kjo është vetëm instrument i zbatimit të asaj marrëveshjeje. E gjitha që është e nënshkruar atje, tash po implementohet, natyrisht me disa data që vendosin obligime”. “Me implementimin e marrëveshjes sa i përket KOSTT-it Kosova ka krijuar pavarësi energjetike në të gjithë territorin e Kosovës. Tash KOSTT-i operon në kufijtë elektrik që janë në përputhje me kufijtë shtetëror”, është shprehur Bejtullahu, njofton Klankosova.tv.