Ish-bashkëshortja e princit të Dubait dhe tre fëmijët e saj “rrëmbehen” pas fitores për kujdestari, pretendon avokati britanik NULL NULL 04.06.2026 13:24 04.06.2026 13:24 Foto: Daily Mail Ish-bashkëshortja e një princi të Dubait është “rrëmbyer” së bashku me tre fëmijët e saj nga policia e emiratit, ka bërë të ditur avokati i saj britanik. Zeynab Javadli ishte paralajmëruar në dokumentet gjyqësore para dy muajsh se, nëse nuk hiqte dorë nga kërkesa për kujdestarinë e fëmijëve të saj, rrezikonte përdorimin e “forcës shtrënguese” ndaj saj, sipas DailyMail, raporton klankosova.tv. Tani, avokati i saj për të drejtat e njeriut, David Haigh, thotë se Policia e Dubait e vuri në zbatim atë kërcënim gjatë një bastisjeje të natës në shtëpinë e saj. Në një deklaratë të ashpër kundër sunduesve të Dubait, të publikuar fillimisht për Daily Mail, ai tha: “Është konfirmuar, ajo është marrë. Kam shqetësime serioze dhe urgjente për sigurinë dhe vendndodhjen e Zeynab Javadlit, ish-bashkëshortes së Sheikh Saeed bin Maktoum bin Rashid Al Maktoum, nip i sunduesit të Dubait, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Zeynab ishte në kontakt për herë të fundit mbrëmë. Që nga ajo kohë, çdo komunikim ka ndërprerë. Shumë miq dhe familjarë më kanë kontaktuar dhe asnjëri prej tyre nuk ka arritur të lidhet me të.” “Në një zhvillim tjetër tepër shqetësues, nëna e moshuar e Zeynabit udhëtoi sot drejt Dubait për të mbështetur vajzën dhe nipërit e mbesat e saj. Ajo shkoi në shtëpinë e vajzës së saj, por e gjeti të mbyllur. Tani i është thënë se nuk mund të largohet nga Dubai.”