Irani sulmon me raketa caqe në Irak dhe Siri NULL NULL 16.01.2024 10:18 16.01.2024 10:18 Një pamje e një ndërtese të dëmtuar pas sulmeve me raketa, në Erbil, Irak, 16 janar 2024 - Azad Lashari - Reuters Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) sulmoi me raketa balistike ato që pretendon se ishin “selia e spiunazhit” izraelit në rajonin e Kurdistanit të Irakut dhe gjithashtu goditi objektivat që dyshohet se lidhen me ISIS-in në Sirinë veriore. Të paktën tetë shpërthime u dëgjuan në Erbil, kryeqyteti i rajonit gjysmë autonom kurd në Irak, herët të martën. Katër persona u vranë dhe gjashtë u plagosën, sipas këshillit rajonal të sigurisë, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova. “Raketat balistike u përdorën për të shkatërruar qendrat e spiunazhit dhe grumbullimet e grupeve terroriste anti-iraniane në rajon,” tha IRGC, sipas mediave shtetërore. Qeveria e Irakut dënoi atë që e quajti “agresionin” e Iranit ndaj Erbilit që çoi në viktima civile në zonat e banuara, duke e quajtur atë shkelje të sovranitetit të vendit dhe sigurisë së popullit të tij, sipas një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme. Qeveria irakiane thotë se do të ndërmarrë veprime të ndryshme, duke përfshirë paraqitjen e një ankese në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. IRGC pretendon se kishte shënjestruar selinë e agjencisë izraelite të spiunazhit Mossad në Erbil, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA.