Ikja e të burgosurit, ShKK pezullon drejtorin e burgut në Mitrovicë dhe tre zyrtarë tjerë NULL NULL 07.08.2025 17:25 07.08.2025 17:25 Arratisja e një të burgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë ka bërë që Shërbimi Korrektues i Kosovës të pezullojë nga puna katër zyrtarë. Në mesin e të pezulluarve është drejtori i këtij burgu, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues. Sipas ShKK-së, “i burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj”. “Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ai ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht”, u tha në njoftimin e ShKK-së. Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, ShKK tha se janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë. Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se ka nisur hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues mbeten të pezulluar nga detyra”, u tha në njoftim. /Klankosova.tv