Higjiena në Ortopedi, kurrkah – mungojnë letrat higjienike e shamponi (VIDEO) NULL NULL nga Arbreshë Uka 28.10.2022 20:36 nga Arbreshë Uka 28.10.2022 20:36 Klinika e Ortopedisë në Qendren Klinike Universitare të Kosovës, ka mungesa të jashtëzakonshme deri në kushtet më bazike. Ndër të tjera, mungon edhe shamponi, letra e higjienës në tualetet e pacientëve. Këto mungojnë edhe për stafin, sa që detyrohen që fashat t’i përdorin për tharjen e duarve. Madje këtë të gjetur e ka evidentuar edhe Inspektorati Sanitar, që e ka inspektuar këtë klinikë në mesin muajit shtator të këtij viti. E, tek tash Ortopedisë i është kërkuar që t’i dërgojë të dhënat për këto materiale higjienike sipas specifikave. Në dokumentin e Inspektoratit Sanitar të cilin e ka siguruar televizioni, thuhet se gjendja e higjienës sanitare dhe teknike këtu, është nën nivelin e duhur. Potencohen edhe dëmtimet e dyshemesë, muret dhe tavanet me prezencë të lagështisë së theksuar, nyjet sanitare të dëmtuara dhe jo-komplete, si dhe kohë e gjatë pa u gëlqerosur hapësirat e kësaj klinike. Gjetje raportohet edhe për dyert e dhomave të pacientëve të cilat janë vlerësuar si të vjetra dhe të dëmtuara. Madje ajo se çka është më së e rëndësishme, nuk është bërë ende dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi, ashtu siç e kërkojnë afatet, ku rrjedhimisht pa këto, mundësia për përhapjen e brejtësve, insekteve dhe krimbave, është e madhe. Të gjitha këto telashe, inspektorët sanitarë kanë kërkuar që të eliminohen brenda 30 ditësh, por që nuk janë bërë ende.