Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Haxhiu: Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për hapjen e arkivave

NULL NULL
25.06.2026 11:41

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e projektit “Na Mungojnë”, i cili përmes dokumentarëve dhe debateve publike ka sjellë në vëmendje rrëfimet e familjeve të personave të pagjetur dhe kërkesën e tyre të pandërprerë për të ditur.

“Por rrëfimet e familjeve nuk mbyllen bashkë me projektin. Ato mbesin edhe pasi fiket ekrani dhe mbaron debati. Mbesin në shtëpitë ku prej vitesh përsëritet e njëjta pyetje: si ta kuptosh që njeriu yt zhduket me dhunë gjatë luftës dhe familja mbetet pa asnjë përgjigje?”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, zhdukja me dhunë e këput këtë fill të kuptimit, duke shtuar tutje se nuk ka shpjegim që e bën më të lehtë pritjen e një familjeje, as fjalë që e zëvendëson njeriun që mungon.

“Por pamundësia për të kuptuar nuk e heq detyrimin për të ditur. Primo Levi ka shkruar se, kur të kuptosh është e pamundur, të dish bëhet e domosdoshme. Për familjet e personave të pagjetur, kjo është kërkesa e vetme, ta dinë ku janë më të dashurit e tyre”, theksoi U.D. Presidentja.

Haxhiu shtoi se përgjigje nuk ka ngase “Serbia ende i mban të mbyllura arkivat e saj ushtarake, policore dhe shtetërore, ndaj në këtë proces, Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë”.

Ajo tha se në ato arkiva mund të gjenden të dhëna për urdhra, varrime, zhvarrime dhe vendndodhje që familjet i presin prej më shumë se një çerek shekulli.

“Varrezat masive të zbuluara në territorin e Serbisë e kanë bërë të qartë se fshehja e gjurmëve ka qenë e qëllimshme. Hapja e arkivave nuk mund të mbetet çështje e vullnetit të Beogradit. Partnerët ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë si detyrim të qartë të Serbisë ndaj familjeve, ndaj drejtësisë dhe ndaj së vërtetës. Rreth 1600 persona ende janë në listat e të pagjeturve, dhe shpeshherë përmenden si numra dhe si statistika. Por dokumentarët e tillë shkojnë përtej statistikave duke na dhënë emrat, fytyrat, dhe rrëfimet për ta përmes zërave që kanë pritur shumë gjatë”, tha Haxhiu.

U.D. Presidentja shtoi se nga Drenasi në Mitrovicë, nga Peja në Prizren, nga Gjilani në Ferizaj, nga Gjakova në Prishtinë, këto rrëfime na kujtojnë se mungesa mund të mos jetë e njëjtë në çdo shtëpi, por pritja dhe kërkesa është e njëjtë.

Sipas saj, kërkesa për të ditur nuk mund të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, ajo, sipas saj kërkon punë të përditshme institucionale: hetim, dokumentim, punë mjekoligjore, bashkëpunim me familjet dhe ndjekje të çdo informacioni që mund të çojë te e vërteta.

“Dua të falënderoj Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar, Prokurorinë Speciale, Policinë dhe partnerët ndërkombëtarë për punën në gjetjen e personave të zhdukur me dhunë dhe në adresimin e krimeve të luftës. Vitet e fundit ka pasur përparim, falë rritjes së kapaciteteve dhe ndryshimeve ligjore që kanë mundësuar gjykimin në mungesë, si përgjigje ndaj mosbashkëpunimit të Serbisë. Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara ta mbështesin këtë punë, sepse drejtësia për krimet e luftës mbetet detyrim i pashmangshëm”, u shpreh U.D. Presidentja.

Tutje, ajo tha se në këtë drejtim, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm duke e vendosur këtë çështje edhe në kuadër ligjor e institucional.

“Në korrik 2023, Kosova iu bashkua Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP. Në gusht 2023 u themelua Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, ndërsa Strategjia për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034 e vendos kërkimin e të vërtetës, drejtësinë, reparacionet dhe reformën institucionale si shtylla të kësaj fushe. Kjo punë ka sjellë edhe përgjigje konkrete. Identifikimi i personave të zhdukur nga masakra e Kralanit dhe rivarrimi i tyre pas kaq shumë vitesh na e kujton se asnjë rast nuk është i mbyllur përderisa familja nuk ka marrë përgjigje”, ka thënë U.D. Presidentja Albulena Haxhiu. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme