Haxhiu reagon për tragjedinë në Shëngjin: Jemi në kontakt me autoritetet e Shqipërisë NULL NULL 03.06.2026 22:28 03.06.2026 22:28 Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur dhimbjen e saj pas ngjarjes tragjike që ndodhi në bregdetin e Shëngjinit, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar. Përmes një reagimi publik, Haxhiu tha se lajmi për humbjen e dy shtetasve të Kosovës është pritur me pikëllim të thellë, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre. Ajo bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe po ofrojnë mbështetjen e nevojshme për menaxhimin e situatës. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën. Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme”, ka deklaruar Haxhiu. Ajo gjithashtu u ka uruar shërim të shpejtë tre të rinjve të lënduar, të cilët po marrin trajtim mjekësor. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin, ku pesë të rinj nga Kosova kishin hyrë në det për t’u larë, por u përballën me dallgë të fuqishme të shkaktuara nga erërat e forta. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën, ndërsa tre të tjerët u shpëtuan dhe po trajtohen në spital.