Hamza pas takimit me Kurtin: S’ka marrëveshje për presidentin NULL NULL 28.02.2026 17:59 28.02.2026 17:59 Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se me kryeministrin dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, nuk janë dakorduar për çështjen e presidentit. Në një konferencë për media pas takimit, Hamza tha se i ka propozuar Kurtit që presidenti të vijë nga radhët e PDK-së. Por, kjo ofertë e PDK-së nuk është pranuar nga kreu i LVV-së. “Sot në takimin e dytë që pata me Kurtin për këtë çështje, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja. Kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga PDK. Me qëllim për të garantuar stabilitetin institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Me këtë ofertë, kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”. “Me ofertën tonë, mund të ju konfirmoj se nga sot PDK nuk do të bëhet pjesë e veprimeve të mëtejme formale në kuadër të këtij procesi. Tani mbetet të shihet nëse shumica parlamentare dhe zotëri Kurti do të veprojnë me seriozitet për të shmangur zgjedhjet e reja, apo nëse gatishmëria dhe konstruktiviteti ynë do të trajtohen si mundësi për të zhvendosur përgjegjësinë e jo si bazë për një zgjidhje të mirëfilltë”, u shpreh Hamza, raporton Klankosova.tv. Kreu i PDK-së tha se me Kurtin nuk kanë mbërritur deri te pika ku të propozohej një emër konkret nga PDK-ja për president. “Ne s’kemi mbërri atje. Kemi menduar (për emrin), por s’kemi mbërri fare atje. S’jemi dakordu që presidenti të zgjidhet si propozim i PDK-së”, deklaroi Hamza. Ai shtoi se në rast se PDK propozon një kandidat për president, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe LVV-ja – “dhe në këtë rast dihet përfundimi dhe cili është rezultati i votimit” “Zotëri Kurti e ka nesër Këshillin e Përgjithshëm, dhe sipas asaj që kemi biseduar, kanë kërkesë se po që se PDK e propozon një kandidat, vjen edhe një kandidat i propozuar nga LVV, dhe në këtë rast dihet përfundimi dhe cili është rezultati i votimit”, u shpreh kreu i PDK-së. Hamza theksoi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon partisë më të madhe. Ndër të tjera, Bedri Hamza tha se ka pranuar takim me Albin Kurtin për çështjen e presidentit “me bindjen e sinqertë se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes shumë të respektuar dhe nderuar me shumë kontribute të familjes Jashari”. “Për familjen Jashari flas me respekt sepse është vlerë e veçantë, dallojnë me të gjitha çështjet tjera, dhe pas vendimit të familjes që ata të mos jenë pjesë e këtij procesi, unë e vlerësoj me shumë respekt vendimin e tyre”, tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza në konferencën për media. /Klankosova.tv