Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Haliti: Interesi shtetëror është formimi i institucioneve dhe dalja nga ngërçi

NULL NULL
16.07.2026 14:29

Sekretari për mërgatë nga LDK-ja, Sokol Haliti, pas takimit të zhvilluar në selinë e partisë, tha se mbledhjet e partisë janë takime të rregullta pune dhe se funksionimi i subjektit zhvillohet në përputhje me statutin dhe rregullat e brendshme.

Ai theksoi se takimi nuk kishte karakter të jashtëzakonshëm, por ishte pjesë e angazhimeve të zakonshme të strukturave të partisë.

“Janë takime pune, rutinore që i mbajmë si subjekt serioz, një organizatë me këtë përgjegjësi që e kemi. Janë takime pune, natyrisht. Partitë funksionojnë, që bëjnë e organizohen, natyrisht. Ne i kemi detyrat tona, secili anëtar i kryesisë, sekretarët e organizatës, sekretari me degët jashtë, sekretari brenda, ai tjetri, ky tjetri, kryetarët e degëve, secili e ka punën e vet”, deklaroi Haliti.

I pyetur nëse, duke pasur parasysh situatën politike dhe rëndësinë e formimit të institucioneve, ekziston urgjencë për thirrjen e kuvendeve të degëve të LDK-së, Haliti tha se partia do të respektojë afatet dhe procedurat statutare.

“LDK i respekton afatet, procedurat, rregullat, statutin, natyrisht. Interesi shtetëror është formimi i institucioneve shtetërore, edhe kapërcimi i këtij ngërçi. Por, thashë, aspektet e tjera partiake e kanë fushëveprimin e vet. Është demokraci, prandaj respektohen rregullat e statuti, prandaj afatet, mënyra, kushtet, krejt”, u shpreh ai.

Duke komentuar raportimet për një protestë në mbështetje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haliti tha se nuk ka informacione për një organizim të tillë, ndërsa ritheksoi se Abdixhiku gëzon legjitimitet deri në çdo vendim tjetër të organeve të partisë.

“Jo, nuk kam ndonjë informacion për atë. Kryetari është kryetar legjitim, legal. Derisa të bëhet ndonjë vendim tjetër, është kryetar legal, legjitim edhe aty. Edhe kuvendi ka procedura gjithashtu, ka procedura dhe rregulla, prandaj kryetari i LDK-së është zgjedhë. Ju lutem, Kuvendin e kaluam me votë të fshehur, një Kuvend shumë demokratik, ndoshta shembull edhe për partitë e tjera, jo vetëm në Kosovë. Prandaj LDK-ja ka me punu statutarisht, ka me punu me demokraci në veprim, me rregulla, gjithsesi me vendime, nëpër organe që kalojnë, prandaj takimet me degë, takimet me kryesi po bëhen, janë konsultime”, deklaroi ai.

Sa i përket mundësisë së mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, Haliti nuk dha një datë konkrete.

“Sigurisht do të informoheni me kohë, por në afat”, tha ai.

Ndërkaq, i pyetur për raportimet mbi një marrëveshje parimore mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve, Haliti tha se kryetari i partisë do t’i informojë organet drejtuese për zhvillimet pas takimeve të zhvilluara.

“Sigurisht kryetari ju ka dhënë sugjerime, pasi që ka qenë takimi. Me siguri do t’i raportojë kryesisë, do ta informojë kryesinë për këto takime, këto zhvillime. Tash ka edhe zhvillime të tjera, të cilat do të procedojnë më relaks, natyrisht, me demokraci në veprim”, shtoi Haliti./EO

lajme të ngjashme