Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Hakmarrja e Wembyt: SGA feston MVP-në, pastaj vjen ‘dënimi’ në parket

NULL NULL
19.05.2026 22:01

Ylli i Oklahoma City Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, është shpallur MVP i NBA-së për sezonin 2025/26, duke fituar trofeun për të dytin vit radhazi dhe duke hyrë në një klub shumë të vogël legjendash të ligës.

Kanadezi triumfoi përballë rivalëve si Nikola Jokic dhe Victor Wembanyama, pasi udhëhoqi OKC drejt rekordit më të mirë në NBA me 64 fitore.

SGA zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me statistika: 31.1 pikë, 6.6 asistime dhe 4.3 kërcime mesatarisht për ndeshje, me efikasitet brutal në gjuajtje. Përtej numrave, ai u kthye në motorin absolut të Thunder. Qetësi totale në momentet vendimtare, kontroll loje dhe një maturi që tashmë e vendos në diskutimet për fytyrën e re të NBA-së.

Me këtë sukses, Shai bëhet vetëm lojtari i 14-të në histori që fiton MVP trofeun në dy sezone radhazi, ndërsa është edhe gardisti i parë që e arrin këtë që nga Stephen Curry. Dhe ky nuk duket si fundi, pasi OKC po shndërrohet në dinastinë e ardhshme të NBA-së, ndërsa SGA po hyn në atë zonën ku superylli nuk matet më vetëm me statistika, por me “a po dominon epokën?”.

Mirëpo, ironia e këtij trofeu individual nga SGA, u kthye në humbje revanshi nga kandidati tjetër serioz për MVP titullin, Victor Wembenyama.

Vetëm pak orë pasi mori trofeun e MVP-së, Shai dhe Thunder e humbën ndeshjen e parë të finales së Perëndimit ndaj San Antonio Spurs, me një performancë historike nga Wembanyama. Dhe kjo vetëm sa e ndez më shumë rivalitetin që mund të dominojë NBA ligën për 10 vitet e ardhshme: SGA vs. Wemby. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme