Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gruaja e rreshterit të vrarë: Kurrë një fjalë t’keqe nuk e kam dëgju për të

NULL NULL
23.07.2026 16:40

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, kanë mohuar sërish fajësinë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur akuzat se bëhej fjalë për një vrasje të planifikuar, e realizuar me role të ndara mes të pandehurve.

Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, janë deklaruar “tërësisht të pafajshëm” ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gruaja e tij gjatë dëshmisë para trupit gjykues e ka përshkruar Likën si një njeri të kujdesshëm dhe të sjellshëm, për të cilin nuk ka pasur asnjë fjalë të keqe, raporton Klankosova.tv

“Raportet mes meje dhe Muhametit kanë qenë shumë të mira. Me Muhametin kurrë asnjë problem, asnjë fjalë nuk e kemi pasë, ka qenë një dashuri dhe një respekt i dyanshëm. Muhametin e kam njoftë prej 2003-tës kur ka qenë polic që ka fillu, edhe unë punoj, prej 2004 kam fillu punë…Njeri shumë i mirë, shumë i kujdesshëm, shumë i sjellshëm, kurrë njëherë një fjalë nuk e kam dëgju për të”.

Prokurori Ismet Rrahmani tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara mbështesin pretendimin se krimi ishte organizuar paraprakisht dhe se të akuzuarit kishin ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së vrasjes.

Sipas tij, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Lika.

“Pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, ai u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion. Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, deklaroi prokurori Rrahmani.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra më 1 prill 2025 në Kaçanik, pak çaste pasi kishte përfunduar orarin e punës. Ai u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në ndërtesën ku banonte. /Klankosova.tv

 

lajme të ngjashme