Grenlanda mund të bëhet e pavarur, por jo një shtet i SHBA-së, thotë Danimarka NULL NULL 08.01.2025 15:39 08.01.2025 15:39 Ministri i Jashtëm i Danimarkës Lars Loekke Rasmussen u përgjigjet pyetjeve nga shtypi në Parlament, Kështjella Christiansborg, në Kopenhagë, Danimarkë, 8 janar 2025. Ritzau Scanpix/Liselotte Sabroe/REUTERS Grenlanda mund të bëhet e pavarur nëse banorët e saj dëshirojnë, por nuk do të bëhet një shtet i SHBA-së, tha të mërkurën ministri i jashtëm i Danimarkës pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump refuzoi të përjashtonte mundësinë e forcës për të marrë kontrollin e ishullit Arktik. Udhëheqësi i Grenlandës zhvilloi bisedime të mërkurën me mbretin danez në Kopenhagë, një ditë pasi komentet e Trumpit e vendosën fatin e ishullit të sunduar nga danezët në krye të titujve botërorë, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv. Trumpi, i cili e merr detyrën më 20 janar, tha të martën se nuk do të përjashtonte përdorimin e veprimeve ushtarake apo ekonomike për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën ditë, djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., bëri një vizitë private në Grenlandë. Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka qenë pjesë e Danimarkës për 600 vjet, megjithëse 57 mijë banorët e saj tani qeverisin vetë punët e tyre të brendshme. Qeveria e ishullit e udhëhequr nga kryeministri Mute Egede synon pavarësinë përfundimtare. “Ne e pranojmë plotësisht se Grenlanda ka ambiciet e veta. Nëse ato materializohen, Grenlanda do të bëhet e pavarur, megjithëse vështirë se me një ambicie për t’u bërë një shtet federal në Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen. “Unë nuk mendoj se jemi në një krizë të politikës së jashtme,” tha ai. “Ne jemi të hapur për një dialog me amerikanët se si ne mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë se për të siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen”. Megjithëse vetë Danimarka e hodhi poshtë seriozitetin e kërcënimit të Trumpit ndaj territorit të saj, ambicia e deklaruar hapur e presidentit të rikthyer për të zgjeruar kufijtë e SHBA-së ka tronditur aleatët evropianë më pak se dy javë para se të marrë detyrën. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, tha se Evropa nuk do t’i lejonte vendet e tjera të sulmonin kufijtë e saj sovranë, megjithëse ai nuk besonte se SHBA-ja do të pushtonte. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Berlini i qëndronte parimit se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se sovraniteti i vendeve anëtare të BE-së duhet të respektohet.