Gjini pret në takim ambasadorin e Austrisë, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës NULL NULL 10.07.2026 15:40 10.07.2026 15:40 Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka njoftuar se ka zhvilluar takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Gjini ka bërë të ditur se e ka informuar ambasadorin austriak për gatishmërinë e Aleancës për të dhënë kontribut në tejkalimin e ngërçit institucional, por vetëm për një agjendë që, sipas tij, garanton zhvillim, stabilitet dhe siguri kombëtare. “E njoftova ambasadorin se Aleanca është e gatshme të japë kontributin e saj në zhbllokimin e ngërçit institucional, por vetëm për një agjendë që garanton zhvillim dhe siguri kombëtare”, ka shkruar Gjini. Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik. “Falënderova ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës”, ka deklaruar Gjini./Klankosova.tv