Gërxhaliu: Rritja e çmimeve të naftës lidhet me pasiguritë globale, Kosova të ruajë partneritetet strategjike NULL NULL 23.07.2026 10:03 23.07.2026 10:03 Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë (MINT) ka publikuar çmimet e reja për 24 orët e ardhshme. Sipas të dhënave të MINT-it, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1 euro e 68 centë, më i lartë se një ditë më parë, ndërsa benzina do të shitet me çmim 1 euro e 49 centë për litër. Gazi do të kushtojë 0.60 euro për litër. Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka thënë se rritja e çmimeve të naftës dhe ndikimi i tyre në inflacion lidhen me zhvillimet globale, veçanërisht me konfliktet dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare. Sipas tij, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe tensionet në Gjirin Persik, kanë ndikuar në krijimin e një pasigurie në furnizimin me energji. “Definitivisht bota nuk është më ajo çka ka qenë. Sot në botë kemi më tepër se 37 luftëra të ndryshme. Janë dy luftërat kryesore të cilat në mënyrë direkte apo indirekte ndikojnë në këtë çmim. Fakti që është krijuar një debalancë mes ofertës dhe kërkesës është hapi i parë që tani kemi çmime të naftës më të larta sesa para një muaji e gjysmë”, u shpreh ai. Gërxhaliu theksoi se çmimet në tregjet ndërkombëtare mbeten shqetësuese, duke përmendur edhe ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në ekonomi. “Fakti që sot një barrel i naftës ka arritur më tepër se 90 dollarë për barrel është vërtet shqetësues. Sot rafineritë kryesore janë të shkatërruara”, deklaroi ai. Ai foli edhe për situatën ekonomike në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe ruajtjes së marrëdhënieve me partnerët strategjikë. “Është koha kur duhet t’i kthehemi Amerikës, është koha kur duhet të kthehet besimi i humbur që e kemi pasur dhe tani nuk e kemi, sepse në këtë mënyrë uji është duke rrjedhur në mullirin e armiqve të Kosovës, por jo në interes të Kosovës dhe të ardhmes së saj”, tha Gërxhaliu. Sipas tij, pa partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rruga e Kosovës drejt zhvillimit do të jetë më e vështirë. /Klankosova.tv