Gazi amerikan “ftoh” Kurtin e Prattipatin (VIDEO) NULL NULL 20.06.2026 20:26 20.06.2026 20:26 Ndonëse ishin afër njëri-tjetrit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe e Ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, muhabet nuk bënë. Kjo për shkak të, si duket, qëndrimeve të tyre për gazin amerikan. As për e as kundër, asnjë fjalë për këtë punë nuk e tha kreu i ekzekutivit, kur po largohej nga ngjarja e përbashkët. Përgjigje nuk dha as amerikania. Para se të dilnin nga konferenca kushtuar grave në biznes, u dha një premtim. “Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik do nis programi super-puna për gra që do garantojë pagë minimale për 6 muaj për gra që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës”, tha Kurti. Nga këtu u kërkua të ketë më tepër gra sipërmarrëse. “Çfarë po bëjmë për t’u siguruar që këto shifra, të cilat ende janë mjaft të ulëta, të rriten nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit, në mënyrë që një ditë të mos ketë më nevojë të flasim për to? Që të mos vihet më kurrë në dyshim nëse gratë duhet të jenë pjesë e këtyre hapësirave”, tha Prattipati. Qëndrim të ngjashëm patën edhe përfaqësuesit evropianë. Krejt këta bashkë shijuan ushqimet e sjella nga gratë ndërmarrëse në këtë organizim.