Garancia e policisë nuk kryen punë, Specialja ua refuzon kërkesat për lirim të përkohshëm Veselit, Krasniqit dhe Selimit NULL NULL nga Rina Mujku 21.05.2025 13:17 nga Rina Mujku 21.05.2025 13:17 Ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Foto ilustruese nga AP, e përpunuar nga Klankosova.tv Trupi Gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ua ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kërkesat u dorëzuan më 3 dhe 4 prill 2025, pas dëgjimit të gjithë dëshmitarëve të Prokurorisë. Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin kërkuar garanci edhe nga Policia e Kosovës, drejtori i së cilës dorëzoi në Dhomat e Specializuara gjithë dokumentet e nevojshme për të dëshmuar aftësinë dhe trajnimet e policisë që t’i ruajnë treshen e UÇK-së gjatë lirimit të përkohshëm, mirëpo Prokuroria e Specializuar e cilësoi të paaftë PK-në ta zbatojë këtë masë. Vendimi i gjyqtarëve Charles Smith, Christoph Bardhe, Guenaël Mettraux dhe Fergal Gaynor nuk është bërë ende publik, por Klan Kosova e ka parë të përmendet si i tillë në kërkesën e fundit të kryeprokurores Kimberly West për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin. “Paraburgimi mbetet proporcional. Në rishikimin e fundit të paraburgimit, Paneli gjeti se mbajtja e Veselit edhe për dy muaj të tjerë ishte e nevojshme dhe e arsyeshme në bazë të rrethanave specifike të rastit. Më 13 maj 2025, pas vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm.” – thuhet në kërkesën e West, njofton Klankosova.tv. West e citon vendimin jo-publik edhe kur e arsyeton mbajtjen e Veselit në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen, ku bashkë me Thaçin, Krasniqin e Selimin po qëndrojnë prej 4 vjet e 6 muaj tashmë. “Paneli ka ardhur në përfundim se vetëm përmes monitorimit të komunikimeve që aplikohet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, komunikimet e Veselit mund të kufizohen në atë mënyrë që do ta ulin mjaftueshëm rrezikun e pengimit dhe kryerjen e krimeve tjera” Gjykata Speciale nuk i pati besuar Policisë së Kosovës as në vitin 2021, kur Kadri Veseli kishte bërë kërkesë të njëjtë për lirim të përkohshëm.