Fjalosja pas një aksidenti në Suharekë rezulton me një viktimë NULL NULL 30.06.2023 10:32 30.06.2023 10:32 Foto nga Arkiva: Policia e Kosovës Policia e ka arrestuar një person në Suharekë, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje nga pakujdesia”. Sipas policisë, rreth orës 21:50, është raportuar për një aksident trafiku mes dy automjeteve në fshatin Samadraxhë, pas së cilit një grua 67-vjeçare është dërguar në QKMF në Suharekë pa shenja jete. Në lidhje me rastin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së viktimës, por ka dyshime. “Rreth orës 21:55 në QKMF mjeku kujdestar e ka vërtetuar vdekjen e viktimës. Nga mbledhja e dëshmive nga vendi i ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri më tani nuk dihen”, ka thënë ai. Tutje, Bytyqi tha se dyshohet se pas aksidentit, i dyshuari i cili ishte nën ndikim të alkoolit ka dalë nga automjeti dhe e ka shtyrë tashmë viktimën e cila ka qenë pasagjere në veturën tjetër. “Dyshohet se pas aksidentit, i dyshuari ka dalë nga automjeti dhe janë fjalosur me palën tjetër dhe në një moment e ka shtyrë viktimën e cila është rrëzuar. Viktima ka qenë pasagjere në automjetin tjetër të përfshirë në aksident”, deklaroi më tej zëdhënës Bytyqi. Ai tha se i dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë. Në raportin 24-orësh të policisë, rasti është cilësuar si “Vrasje nga pakujdesia”. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS