Estonia: Udhëtim në një shoqëri që klikon, jo bërtet NULL NULL 02.06.2025 13:27 02.06.2025 13:27 Shkruan: Ardiana Thaçi Mehmeti I kam premtuar vetes se pas të dyzetave do të jetoj ndryshe. Do të provoj përvoja që më hapin sytë dhe më ndriçojnë mendjen, pa i menduar dy herë. I tillë ishte edhe udhëtimi im drejt Estonisë. Kur mora ftesën për të qenë një nga dy gazetarët kosovarë pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe E-qeverisje në Tallinn, thashë “po” menjëherë — një vendim i marrë pa shumë mendim, por me shumë nevojë për një përjetim të ri. Nga votimi online deri te… divorci! U zgjova në orën tre të mëngjesit në Prishtinë dhe përfundova udhëtimin në gjashtë të mbrëmjes në Aeroportin modest të Estonisë. Rruga ishte e gjatë, por sapo aterova në Tallinn, më përfshiu një lloj stuhie qetësie. Kisha dëgjuar se Estonia është ndër vendet më të qeta në botë — por ajo qetësi fillestare më trembi. Ishte një boshllëk i panjohur, thuajse metafizik. Unë, që gjithmonë e kisha kërkuar qetësinë si shpëtim nga streset e jetës, po e përjetoja për herë të parë si një sfidë të brendshme: si të bashkëjetoja me këtë qetësi pa u ndjerë e humbur? Por nuk më zgjati shumë hutimi. Shpejt kuptova se nuk isha vetëm — teknologjia fliste për njerëzit. Në këtë vend ku 99% e shërbimeve publike ofrohen online, komunikimi nuk është i zhurmshëm, por racional. Nuk ka nevojë të flasësh me zë të lartë: mjafton një klikim. Nga votimi elektronik, deri te recetat mjekësore, nga regjistrimi i makinës deri te… divorci. Po, edhe ndarja me partnerin bëhet online — një reflektim i një shoqërie ku liria individuale dhe prakticiteti ecin dorë për dore. Estonia është më shumë sesa një vend me rrugë të pastra, kafene minimaliste dhe njerëz të përmbajtur. Është një eksperiment i guximshëm i demokracisë digjitale. Pas sulmit të madh kibernetik të vitit 2007, vendi mori një kthesë historike dhe vendimtare: u bë lider global në sigurinë kibernetike. Me një sistem të decentralizuar të të dhënave dhe me teknologjinë blockchain që mbron çdo të dhënë personale, shteti krijoi diçka të rrallë në këtë epokë dyshimi — besimin. Në vend të paranojës për privatësinë, estonezët kanë ndërtuar një sistem transparent ku qytetari ka kontroll të plotë mbi të dhënat e veta. Për çdo qasje në të dhënat personale, qytetari njoftohet. Nuk ka vend për burokraci — sepse nuk ka as nevojë për të. Konferenca ku mora pjesë, e mbajtur në një kompleks të teknologjisë moderne, u zhvillua në një atmosferë ku siguria kibernetike nuk shihej si frikë, por si mundësi. Flitej për inteligjencë artificiale, për të ardhmen e administratës publike, për modelet e bashkëpunimit mes shtetit dhe sektorit privat. Më shumë se një forum teknik, kjo ishte një skenë vizionesh të reja për qytetërimin digjital. Por në këtë qytet të heshtur, ku orari i punës për shumicën e bizneseve është 11:00 deri në 18:00 — një ritëm që për ne ballkanasit duket paksa i çuditshëm — mësova edhe një mësim tjetër: dita nuk matet me orë, por me kuptim. Edhe pse dielli perëndonte vonë, pas orës 23:00, dita mbaronte herët. Jo sepse nuk kishte çfarë të bëje, por sepse gjithçka kishte kuptim të mjaftueshëm edhe brenda atyre shtatë orëve pune. Nga nëndetëset sovjetike në realitetin virtual: Si po rindërtohet mbrojtja në Estoni Kishat e vjetra – dëshmi e një ndikimi të pashmangshëm rus në kulturën fetare të vendeve baltike – qëndrojnë ende të forta në peizazhin e qyteteve. Por ajo që bie në sy është ndarja e qartë mes kësaj trashëgimie kulturore dhe mënyrës se si këto shtete mendojnë për politikën, historinë dhe zhvillimin. Në këtë aspekt, Estonia e ka kthyer kokën kah e ardhmja. Takimi në qeverinë e Estonisë me katër prej figurave kyçe që mbajnë mbi supe barrën e digjitalizimit të shtetit ishte një nga momentet më domethënëse të kësaj vizite: Tanel Sepp, Drejtor i Përgjithshëm në Departamentin e Diplomacisë Digjitale dhe Kibernetike në Ministrinë e Punëve të Jashtme; Tõnu Grünberg, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm për Infrastrukturë dhe Siguri Kibernetike në Ministrinë e Drejtësisë dhe Çështjeve Digjitale; Irina Klementi, Udhëheqëse e Menaxhimit të Rreziqeve Kibernetike; Kaido Tee, përgjegjës për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike. Ky takim nuk ishte thjesht një prezantim protokollar, por një dritare që na tregoi sa larg jemi nga ky vizion i qartë për të ardhmen. Estonia ka ndërtuar një model të mbrojtjes kombëtare dhe zhvillimit shtetëror që nuk mbështetet më në forca të armatosura të rënda, por në sisteme të fuqishme digjitale, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike. Në çdo fjali të dytë përmendej lufta në Ukrainë – jo përmes armëve, por përmes kabllove, serverëve dhe softuerëve. Ata flisnin me bindje për ndihmën që i kanë dhënë Ukrainës në mbrojtjen e infrastrukturës kritike digjitale. Ishte e qartë se tashmë fronti i ri i luftërave është virtual, dhe armët e reja janë algoritmet dhe kapacitetet teknologjike. Për ne që vijmë nga një realitet ku ende diskutohet për bazat e digjitalizimit, ky takim ishte një pasqyrë e qartë e boshllëkut midis nesh dhe vendeve që kanë kuptuar se sovraniteti i së ardhmes fillon në cyberspace. Sa për të na dëshmuar se Estonia është shumë përpara në mendimin strategjik të kohës sonë, konferenca u zhvillua në një seri muzeumesh që ekspozonin mbetjet e luftërave të së kaluarës – tanke, nëndetëse sovjetike, artileri të rëndë – të ndërthurura mjeshtërisht me ide futuristike për luftërat digjitale. Në këto hapësira, ndjesia ishte befasuese: me një palë syze, mund të hyje në një botë virtuale ku nisej një simulim lufte kibernetike, duke drejtuar makineri lufte nga thellësitë e një nëndetëseje sovjetike ose nga një tunel i fshehtë i Estonisë sovjetike. Ishte një përzierje e së kaluarës së rëndë dhe së ardhmes së mençur. Një përvojë magjike dhe tronditëse njëkohësisht – një kujtesë e frikës së luftës, sidomos për ne që luftën nuk e kemi mësuar nga librat, por e kemi përjetuar që në adoleshencë. Në një mënyrë të çuditshme, ndiheshe si në një film që po të përplaste ndërmjet dy epokash: njëra me beteja me tanke e flakë, tjetra me algoritme dhe inteligjencë artificiale. Në fund, por jo më pak i rëndësishëm, ushqimi ishte thjesht fantastik – salmoni i freskët, sardelt e buta dhe peshku që nuk harrohet lehtë. Jeta e natës dhe karaoket janë pjesë e pandashme e kulturës estoneze, por edhe shumë turistë të huaj i japin një ngjyrim ndërkombëtar qytetit. Më pëlqeu mënyra se si ky vend ka gjetur balancën midis heshtjes së thellë, ritmit të ngadaltë dhe teknologjisë së shpejtë që e mbështet çdo hap të jetës. Është një vend ku heshtja ka kuptim dhe ku çdo klikim flet më shumë se sa mijëra fjalë. Seniks korraks. Nägemist – Until next time. Goodbye