Ekstradohet nga Shqipëria i dyshuari për drogën e kapur në Klinë NULL NULL 27.05.2025 10:07 27.05.2025 10:07 Marglen Çomani është personi që u ekstradua nga Shqipëria për në Kosovë. Çomani është i dyshuar për rastin e plantacionit të zbuluar me kanabis në Perqevë të Klinës, gushtin e vitit 2024. Lajmin për ekstradimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh. “Një i dyshuar shtetas i Shqipërisë është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë pasi i njëjti ishte arrestuar në Shqipëri si i dyshuar lidhur me veprat penale të lartcekura (KULTIVIM I BIMËVE NARKOTIKE / ARMËMBAJTJE PA LEJE). I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha PK-ja. Ndërkaq, Policia e Shqipërisë, të dyshuarin e kishte arrestuar më 19 gusht të vitit të kaluar, teksa thoshte se kapja e tij erdhi falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Policisë së Kosovës. “Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Marglen Çomani 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj. Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thoshte Policia e Shqipërisë gushtin e vitit 2024. Kujtojmë se operacioni për lokalizimin e plantacionit të drogës dhe i kapjes së të dyshuarve ishte udhëhequr nga prokurori Ersan Qavolli. Gushtin e vitit 2024, Policia e Kosovës i kishte shpallur në kërkim Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, të tre nga Klina, si dhe Marglen Çomanin e Albion Kalemin nga Shqipëria.