Ekstradohet nga Italia i kërkuari për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të detyrës NULL NULL 23.07.2026 08:45 23.07.2026 08:45 Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është ekstraduar nga Italia në Kosovë. Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi është realizuar më 23 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe autoritetet italiane. “I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, ndërsa i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë. Sipas autoriteteve, ekstradimi u realizua në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Italisë. “Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore”, theksohet në komunikatë. Policia e Kosovës bëri të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë në shkëmbimin e informacioneve, me synim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.