Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Ecke gjaku, mizat e kuajve hynin në trurin e pacientit”, gërdia në Klinikën e Neurokirurgjisë (VIDEO)

NULL NULL
22.10.2025 20:13

Në sallën ku hapet kafka, e në tru futen instrumentet, kanë gjetur vend edhe mizat e insektet e ndryshme. Këtë alarm për papastërtinë në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK po e ndez një ish-punonjëse e këtij institucioni.

Në kushtet anonimiteti për emisionin Kiks Kosova, gruaja e cila punoi më shumë se 5 vjet në sallën e operacioneve në këtë klinikë, pretendon se higjiena aty nuk përmbush kushtet as për një furrë buke. Ajo alarmon se pacientët të cilët operohen aty rrezikojnë të marrin infeksione serioze.

Në një nga rastet që ajo ishte duke asistuar në një operim me kafkë të hapur, pretendon se mizat kanë hyrë edhe në trurin e pacientit 67-vjeçar. Për këtë rast, njëra nga instrumentaret që kishte qenë në ekipin operator atë ditë kishte njoftuar edhe në listën e specifikimit. Kjo situatë, thotë ajo, nuk shqetësoi aspak neurokirurgët, të cilët e shihnin si zgjidhje përdorimin e antibiotikëve të fuqishëm.

Brenda QKUK-së ajo thotë se ekziston një ekip intraspitalor i cili e monitoron nivelin e pastërtisë dhe higjienës në të gjitha klinikat. Mirëpo, roli i tij, sipas saj, është inekzistent. Tutje, ka pohuar se ky ekip inspektoi sallën e operacioneve në Neurokirurgji vetëm dy herë në vit. Edhe në herat kur erdhën, thotë se asgjë nuk doli në pah.

Ajo e akuzon kryinfermieren e sallës, Bahrie Hysenin që në bashkëpunim me stafin dhe me dijeninë e drejtorit të klinikës, Besnik Elshanit, mbyllnin pjatat petri të cilat vendoseshin nga ky ekip për të bërë testimin e cilësisë së ajrit.

Kushdo që i ka hapur pjatat petri, ajo thotë se është kërcënuar se mund të mbes pa punë.

Gjendja në këtë klinikë, sipas saj, është përkeqësuar që nga pandemia, kur nisi të neglizhohet edhe pastrimi i thellë i pajisjeve. Sipas saj, zirja e pajisjeve që bëhej çdo muaj, nga pandemia bëhet vetëm dy herë në vit.

Kiks Kosova ka siguruar edhe dokumentin përmes të cilit drejtori dhe kryeinfermierja e Neurokirurgjisë kërkuan nga sektori i Financave që t’jua heq mëditjet tri instrumentareve për këtë rast.

Për të marrë përgjigje dhe versionin e QKUK-së lidhur me këtë rast, KIKS Kosova ka kërkuar intervistë me drejtorin e kësaj klinike, Besnik Elshanin. Intervista nuk u realizua, pasi nga ky institucion i thanë emisionit se drejtori është në pushim.

Prandaj, emisioni nisi pyetjet në adresë të QKUK-së dhe kërkoi leje për xhirim në klinikën e Neurokirurgjisë, por deri në transmetimin e kësaj kronike, Kiksi nuk pranoi përgjigje.

 

lajme të ngjashme