E shpalli Anglinë kampione me tatuazh, por Argjentina ia prishi tifozit ëndrrën NULL NULL 16.07.2026 10:06 16.07.2026 10:06 Një tifoz anglez u tregua tepër optimist përpara gjysmëfinales së Kupës së Botës, duke bërë një tatuazh ku shkruhej se Anglia ishte kampione e Botërorit 2026. Pas eliminimit të ekipit nga Argjentina, ai tashmë ka vendosur t’i shtojë tatuazhit frazën “Just kidding” (“Po bëja shaka”). Sean Carrington nga Manchester bëri tatuazhin, i cili paraqet trofeun e Kupës së Botës dhe mbishkrimin me shkronja të mëdha: “England World Cup Winner 2026”. Ai tha se kishte besim të plotë se “Tre Luanët” do ta fitonin trofeun, veçanërisht pas fitores 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv. Tatuazhi u realizua në studion Holy Trinity Tattoo Studio në Standish, e cila e pranoi me urgjencë kërkesën e tij për ta përfunduar përpara gjysmëfinales, në mënyrë që të kishte kohë të shërohej. “Jam thjesht impulsiv. Sa më gjatë ta mendosh një ide, aq më shumë e bind veten të mos e bësh”, tha Carrington për BBC. Ai shtoi se nuk pendohet për vendimin. “Jam i lumtur, sepse është një tatuazh shumë i bukur. Nuk është fundi i botës, është thjesht një tatuazh. Telefonova studion dhe ishin të zënë, por kur u shpjegova se çfarë doja, më thanë: ‘Uau, po, do të të gjejmë një orar’.” Megjithatë, ëndrra e tij u shua pasi Anglia u eliminua nga Argjentina me rezultat 2-1 në një ndeshje dramatike. Mijëra tifozë anglezë kishin udhëtuar drejt Atlantës për të ndjekur gjysmëfinalen ndaj kampionëve në fuqi. Pas përfundimit të ndeshjes, jashtë stadiumit Mercedes-Benz Stadium pati përplasje mes tifozëve të Anglisë dhe Argjentinës, ndërsa policia ndërhyri dhe kreu disa arrestime për të qetësuar situatën./Klankosova.tv