Dy luftërat e mëdha, Gorani: Kosova duhet ta ritheksojë pozicionin e saj (VIDEO) NULL NULL 03.07.2026 22:00 03.07.2026 22:00 Dy luftërat e mëdha - Gorani: S’lënë hapësirë për indiferencë, Kosova duhet ta ritheksojë anën ku qëndron (VIDEO) Opinionisti Dukagjin Gorani ka deklaruar se zhvillimet e fundit gjeopolitike kanë krijuar një realitet të ri, në të cilin shtetet nuk kanë hapësirë për neutralitet apo indiferencë, duke theksuar se Kosova duhet ta bëjë të qartë pozicionimin e saj në krah të aleatëve perëndimorë. Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Gorani tha se pushtimi rus i Ukrainës dhe konflikti në Gjirin Persik janë dy zhvillime që kërkojnë pozicionim të qartë politik. “Zhvillimet në botë e kanë krijuar një sfidë për komunitetin politik perëndimor, sepse këto nuk lënë hapësirë për neutralitet e indiferencë. Si invazioni i Rusisë në Ukrainë, ashtu edhe konflikti në Gjirin Persik nuk lënë vend për indiferencë. Nuk mund të jesh i paanshëm”, deklaroi Gorani. Sipas Goranit, vende si Kosova duhet të theksojnë qartë se në cilën anë të spektrit politik dhe gjeopolitik qëndron. “Meqenëse ekziston një ndërlidhje, sado e pavërejtshme në shikim të parë, por ideologjike, historike dhe mbi të gjitha e interesave mes Federatës Ruse dhe Republikës Islamike të Iranit, ne nuk e kemi luksin e paanshmërisë, neutralitetit dhe indiferencës. Duhet të rreshtohemi”, u shpreh ai. Gorani shtoi se si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, duhet ta kenë të qartë orientimin e tyre strategjik. “Edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Shqipërisë e kanë pasur këtë të qartë. Mendoj që aleanca jonë me komunitetin politik dhe ushtarak perëndimor është diçka që duhet të theksohet vazhdimisht, sidomos në kushtet e një tronditjeje të madhe ndërkombëtare që ka ndodhur gjatë katër-pesë vjetëve të fundit”, tha Gorani. /Klankosova.tv