Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Duelet e shtatorit, sfida më të veçanta për Kombëtaren e Kosovës

NULL NULL
01.09.2020 16:52

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka filluar dje grumbullimin e muajit shtator ku është zhvilluar edhe seanca e parë stërvitore dhe prezentë ishin disa nga futbollistët e ftuar.

Por, ky grumbullim po shihet si më i veçantë nga njohësit e futbollit, duke parë që shumë futbollistë të Kosovës do të kenë të drejtë të luajnë vetëm në ndeshjen e 3 shtatorit ndaj Moldavisë, duel ky që zhvillohet në Parma të Italisë, kurse për takimin e tre ditëve më pas ndaj Greqisë pothuajse nëntë prej tyre do të mungojë, pasi vendet e skuadrave për nga vijnë në tubim te Dardanët kanë në ‘zonën e kuqe’ shtetin e Kosovës për shkak të rezultateve me të infektuar nga COVID-19, transmeton Klan Kosova.

Sipas njërit prej trajnerëve më të trofeshëm në futbollin kosovar, Bylbyl Sokoli, Kosova është favorite ndaj Moldavisë, kurse për ndeshjen ndaj Greqisë pret fitore megjithëse mendon se grekët kanë një skuadër më cilësore se kundërshtari i parë.

“Në ndeshje kundër Moldavisë, Kosova është favorite duke pasë parasysh edhe formën e kundërshtarit në dhjetë ndeshjet e fundit. Në duelin e dytë, Kosova do të luajë ndaj Greqisë që e ka ripërtërirë ekipin, por që kanë skuadër më cilësore se moldavët. Gjithsesi në dy ndeshjet pres fitore nga Kosova”, tha Sokoli për klankosova.tv.

Bylbyl Sokoli.

Kurse, për trajnerin nga Mitrovica, Gani Sejdiun, dy takimet e shtatorit vijnë në një situatë jo të zakonshme për shkak të pandemisë COVID-19.

“Dy ndeshje në një situatë jo të zakonshme të krijuar nga pandemia do të kenë ndikim edhe në përbërjet e ekipeve që i vështirëson gjërat. Pozitive është që ndeshja e parë është ndaj Moldavisë, një kundërshtar i cili mundet të kalohet edhe realisht duhet të kalohet e që pastaj në takimin e dytë kundër Greqisë të hyjmë me më shumë vetëbesim dhe me të sigurt për një rezultat të favorshëm ndaj një kundërshtari të një nivelit të lartë dhe me një eksperiencë të theksuar në këto gara”.

‘Unë mendoj se mundësitë janë reale që t’i kalojmë me sukses këta kundërshtarë edhe pse mund të kemi probleme me mungesa të lojtarëve. Por, pavarësisht kësaj ne kemi alternativa të mjaftueshme edhe në rast të mungesave. Gjithsesi, suksesi nga këto dy takime do të reflektojë pozitivisht, pastaj për ndeshjen kryesore kundër Maqedonisë së Veriut në muajin tetor që për mua është ndeshja më e rëndësishme në këto momente”.

Gani Sejdiu.

Ndërsa, trajneri drenicas, Tahir Lushtaku, tha se Kombëtarja e Kosovës do të jetë më e kompletuar për duelin e parë ndaj Moldavisë, ndërsa ka hedhur dyshime për ndeshjen e dytë të 6 shtatorit me Greqinë, që sipas tij mungesat mund të bëjnë që ekipi të ketë vështirësi.

“Kosova është para dy ndeshjeve të rëndësishme dhe tash po shihen problemet me grumbullim të lojtarëve për shkak të pandemisë. Shumë lojtarë nuk po lejohen të vijnë nga skuadrat e tyre dhe mungesa e tyre do të jetë një hendikep i madh për ne. Kundër Moldavisë do të jemi më të kompletuar dhe shpresoj në fitore”.

“Ndërsa, ndaj Greqisë do të jetë ndryshe e ku jemi dëshmitarë që shumë futbollistë që do të luajnë në duelin e parë nuk do të paraqitën në “Fadil Vokrri” me ç’rast formacioni ndoshta do të jetë i improvizuar edhe me futbollistë që vijnë nga Superliga e Kosovës, por shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv”, tha Lushtaku.

Tahir Lushtaku.

Për të drejtuarit e Bernard Challandes, ndeshja ndaj Moldavisë do të jetë e dyta për vitin 2020 dhe e para zyrtare.

Kujtojmë se Kosova me 12 janar kishte zhvilluar një ndeshje miqësore në Doha të Katarit, kundër Suedisë, takim ky i humbur me rezultatin 1:0 nga Dardanët.

lajme të ngjashme