Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Doni t’i hiqni nishanet? Ja ç’thotë mjekja e lëkurës!

NULL NULL
nga Edona Vuçitërna 25.05.2021 13:14

Shumica prej nesh kemi nishane në trup.

Disa i kanë në zona të caktuara të fytyrës dhe identifikohen me to. Madje, nishani mbi buzë është konsideruar edhe si shenjë sensualiteti te një grua, e ajo që njihet më së miri për këtë është modelja Cindy Crawford.

Megjithatë, ndaj nishaneve duhet treguar kujdes të shtuar, për faktin se ato mund të jenë të rrezikshme për shëndetin tonë.

Dermatologja, Artizana Dushi, për klankosova.tv ka treguar në hollësi se a duhen hequr nishanet, dhe çfarë duhet të kemi parasysh në raste të tilla.

Ajo bën të ditur se shumica e nishaneve janë rritje beninje për të cilat nuk duhet të brengosemi, por nëse ndonjë nishan lëndohet, irritohet apo gjakderdhë, duhet të lajmërohemi me urgjencë tek dermatologu.

“Nishanet duhen hequr në rast se për këtë kemi indikacion. Preferohet të hiqen gjatë stinës së dimrit nëse na lejon gjendja e tyre”.

“Ato të cilat hiqen për shkaqe estetike kryesisht kanë madhësi të vogël, dhe nëse në ekzaminim me dermatoskop konkludohet se nuk paraqesin rrezik, mund të hiqen me laser. Ndërsa nevuset që janë të dyshimta, duhet gjithsesi të hiqen në mënyrë kirurgjikale dhe të bëhet histopatologjia e tyre”.

“Heqja e nishaneve duhet të bëhet nga ana e kirurgut plastik, kirurgut maksillofacial, apo dermatokirurgut”, deklaroi doktoresha Dushi.

Ajo po ashtu bëri të ditur se nishanet një herë në vit duhet të kontrollohen nga ana e dermatologut me anë të dermatoskopit. Po ashtu, vetkontrolli i tyre në shtëpi duhet te jetë i obliguar. Ndërsa personave që kanë histori të sëmundjeve malinje të lëkurës, atyre me lëkurë më të bardhë si dhe personave me numër më të madh të nishaneve, u rekomandohet vizitë më e shpeshtë.

“Nëse vërejmë se një nishan ka ndërruar formë, madhësi, ngjyrë apo ka pësuar ndonjë lëndim mekanik, atëherë me urgjencë duhet të bëhet kontrolli nga ana e dermatologut, dhe më këtë rast bëhet edhe kontrolli komplet i lëkurës së trupit dhe fytyrës”.

Sipas dermatologes së klinikës Derma Line në Prishtinë, një ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së sëmundjeve malinje të lëkurës është ekspozimi ndër vite ndaj rrezatimit diellor dhe djegiet nga dielli në fëmijërinë e hershme.

Sipas saj, rreziku për shfaqjen e sëmundjeve të lëkurës rritet me kalimin e moshës, dhe atë më shpesh tek gjinia mashkullore me 72,3% sesa tek gjinia femërore me 58,0%.

“Kujdesi dhe mirëmbajtja e lëkurës është një ndër faktorët kyç për parandalimin e sëmundjeve të lëkurës. Ajo duhet të ketë higjienën e duhur dhe hidratimin adekuat konform tipit të saj”.

“Mbrojtja ndaj rrezeve të diellit UV duhet të bëhet me anë të vendosjes se kremrave me faktor mbrojtës të lartë gjatë gjithë vitit, sidomos në sipërfaqet e fotoekspozuara”.

“Gjatë stinës së verës duhet te shmanget ekspozimi ne diell nga ora 10:00 deri ne ora 16:00. Vendosja e kapelave si dhe rrobave të holla të pambukta me mëngë të gjata na jep një mbrojtje më të sigurt. Syzet e diellit po ashtu na mbrojnë nga rrezet e dëmshme UV”, përfundoi dermatologja, Artizana Dushi.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.