Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

DKA e Gjilanit anulon procedurën e transferimit të mësimdhënësve, LDK-ja kërkon rishqyrtim të vendimit

NULL NULL
nga Genita Ukaj 09.07.2026 15:48

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka marrë vendim për anulimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesave të brendshme dhe të jashtme për transferimin e mësimdhënësve për vitin shkollor 2026/2027.

Sipas vendimit të nënshkruar nga drejtori i DKA-së, Jeton Rexhepi, procedura anulohet me arsyetimin se plotësimi i vendeve të punës duhet të bëhet përmes konkursit të hapur publik, me qëllim të garantimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët e interesuar.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se, pas analizës së nevojave reale për personel në institucionet arsimore, rekrutimi apo transferimi do të zhvillohet përmes konkurseve publike, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Lidhur me këtë vendim, për Klankosova.tv ka folur ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka vlerësuar se vendimi ngre shqetësime serioze sa i përket bazës ligjore.

“Vlerësoj se vendimi i DKA-së për anulimin e procedurës së transferimit të mësimdhënësve ngre shqetësime serioze sa i përket bazës ligjore. Rregullorja (QRK) Nr. 19/2024 e parasheh qartë procedurën e transferit si një fazë që zhvillohet para shpalljes së konkursit publik dhe nuk përmban dispozita që e arsyetojnë anulimin e saj në këtë mënyrë”, ka deklaruar Ismajli për Klankosova.tv.

Ai ka theksuar se institucionet komunale duhet të respektojnë ligjin dhe aktet nënligjore, duke garantuar transparencë, siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë mësimdhënësit.

“Institucionet komunale duhet të veprojnë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, duke garantuar transparencë, siguri juridike dhe trajtim të drejtë për të gjithë mësimdhënësit. Prandaj, konsideroj se ky vendim duhet të rishqyrtohet dhe të jepen sqarime të plota mbi bazën ligjore të tij. Nuk është legjitime dhe veprim i drejtë që teprica teknologjike, ata që luftojnë për plotësim të normave mësimore, të luftohen me konkurse të reja”, është shprehur Ismajli.

Vendimi i DKA-së ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe parasheh që për anulimin e procedurës të njoftohen të gjithë mësimdhënësit që kishin paraqitur kërkesë për transferim.

Lidhur me këtë çështje, Klankosova.tv ka tentuar të kontaktojë edhe me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur telefonatave./Klankosova.tv

lajme të ngjashme