Djemtë e Kosovës bëhen gati për duelin me Qipron NULL NULL 13.10.2024 14:54 13.10.2024 14:54 Foto: Federata e Futbollit të Kosovës Pas fitores ndaj Lituanisë në Kaunas me rezultat 2 me 1, Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer stërvitjeve. Siç bën të ditur federata kosovare e futbollit, në stërvitjet e sotme po marrin pjesë futbollistët që u aktivizuan si zëvendësues gjatë ndeshjes së djeshme dhe ata që nuk patën minuta në fushë. Sipas kësaj federate, futbollistët titullarë u përqendruan në rigjenerimin e tyre në hotel për të qenë në formën më të mirë për përballjen e radhës, transmeton Klankosova.tv. “Stërvitja e sotme ishte mjaft e suksesshme, me një atmosferë pozitive dhe entuziazëm të dukshëm tek lojtarët, të cilët punuan me përkushtim dhe energji të lartë, të motivuar nga fitorja e fundit. Përzgjedhësi Franco Foda, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të futbollistëve në këtë seancë, punoi në disa aspekte të veçanta të lojës, për të përgatitur ekipin në mënyrën më optimal”. Gjatë së hënës, dardanët do të zhvillojnë stërvitjen e fundit për këtë grumbullim, përpara se të përballen me Qipron të martën, në orën 20:45. “Pas stërvitjes, Florent Hadërgjonaj dhe Fisnik Asllani, të cilët u aktivizuan si zëvendësues në ndeshjen ndaj Lituanisë, ndanë mendimet e tyre rreth paraqitjes së ekipit në Kaunas, por edhe për pritjet e tyre në ndeshjen e ardhshme. Të dy lojtarët shprehën besimin e plotë për një tjetër fitore, duke nënvizuar se ekipi është i gatshëm dhe i motivuar për të siguruar tri pikë të tjera ndaj Qipros”, tha FFK-ja në njoftimin për stërvitjet e Kombëtares së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.