Disa prej të emëruarve të kabinetit të Trumpit marrin kërcënime me bombë NULL NULL 27.11.2024 20:50 27.11.2024 20:50 Matt Gaetz, Lee Zeldin dhe Elise Stefanik ishin në mesin e të kërcënuarve. Foto: Getty Images Disa nga të emëruarit e kabinetit të Donald Trump për administratën e tij të ardhshme kanë qenë shënjestër e kërcënimeve me bombë, thotë FBI. Në deklarimin e FBI-së thuhet se kishin marrë informacione për disa kërcënime me bombë, si dhe për pasojat që mund të sjellin, duke shtuar se këto i kishin shtyrë që të përgjigjeshin me intervenime. Republikania e New Yorkut, Elise Stefanik, të cilën Trump e ka emëruar si ambasadoren e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, ishte e para që tha se shtëpia e saj ishte shënjestër e një kërcënimi me bombë. Policia po heton ngjarjet e ndodhura mbrëmjen e së martës dhe mëngjesin e së mërkurës. Karoline Leavitt, një zëdhënëse e ekipit të Trump, tha se disa njerëz ishin shënjestër dhe se “policia veproi shpejt për të garantuar” sigurinë e tyre. As Leavitt dhe as FBI nuk treguan emrat e asnjërit prej objektivave. Por zyra e Stefanik tha se kongresmenja u informua për kërcënimin me bombë ndërsa po udhëtonte me bashkëshortin dhe djalin e saj trevjeçar nga Washingtoni në New York për Ditën e Falënderimeve. Policia e New Yorkut i tha më vonë CBS-së se gjithashtu ishte kërcënuar edhe i emëruari nga Trump si sekretar i Tregtisë, Howard Lutnick. Lee Zeldin, të cilin Trump e ka emëruar për t’u bërë drejtues i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, konfirmoi gjithashtu se ai ishte në shënjestër, duke thënë se një “kërcënim me bombë” u dërgua në shtëpinë e tij me një “mesazh me temë pro-palestineze”. “Unë dhe familja ime nuk ishim në shtëpi në atë moment dhe jemi të sigurt”, tha ai. “Ne jemi mirënjohës për veprimet e shpejta të ndërmarra nga oficerët lokalë.” Republikani nga Florida, Matt Gaetz, i cili kohët e fundit u largua nga kandidimi për t’u bërë prokuror i përgjithshëm i ShBA-së, ishte gjithashtu në shënjestër. Zyra e sherifit në Okaloosa të Floridas konfirmoi se një kërcënim me bombë synonte një adresë në qytetin e Niceville. Kutia postare e shtëpisë u pastrua dhe nuk u gjet asnjë pajisje, tha policia, dhe një kontroll i zonës nuk zbuloi asgjë. Fox News raporton gjithashtu se John Ratcliffe, i emëruari i Trump për të qenë drejtor i CIA-s dhe kandidati për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishin gjithashtu në shënjestër të valës së kërcënimeve.