Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Detektivi Jashim,fundi i një aventure

NULL NULL
29.07.2015 13:03

Nga “Pema e Jeniçerëve” tek “Klubi Bakllava”, Jason Goodwin zbulon një botë të magjishme të perandorisë otomane duke zgjuar herë pas here sekrete të fjetura, dhe duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën sesi e kemi parë historinë

Nga Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, te shqiptarët e thjeshtë në Stambollin e shekullit XIX

“Ishte pothuajse i bindur që shqiptari nuk do të vinte, por, kur ngriti kokën, e pa aty, si kolos dhe i ngrysur, duke hedhur pallton mbi shpinë. Jashimi i bëri shenjë me dorë të ulej në divan.
– Ali Pasha i Janinës, – tha mjeshtri i supës. – Të thotë gjë ky emër?
Ali Pasha ishte një kryekomandant, i cili me dinakëri dhe mizori kishte ngritur një gjysmë shteti të pavarur në malet e Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Katërmbëdhjetë vjet më parë Jashimi kishte parë kokën e tij të vënë në një nga kolonat e portave të sarajeve të sulltanit.
Luani, – ngriti zërin Mustafai. – Kështu e quanim ne atë. Kam shërbyer në ushtrinë e tij. E bëja për vendin tim. Por Ali Pasha ishte dhelpër e vërtetë. Ai na dha paqe. Unë doja luftë. Në vitin 1806 shkova në Danub. Atje u bashkova edhe me trupat.
– Me jeniçerët?
Mjeshtri i supës tundi kokën.
– Si kuzhinier. Që atëherë isha kuzhinier. Lufta nuk ka shumë rëndësi për një njeri. Një shqiptar s’e ka fare problem. Pyesni grekët. Por gatimi…. – Ai mërmëriti i kënaqur.
Jashimi bashkoi duart dhe u fryu.
– Unë jam njeri i traditës, – vazhdoi mjeshtri. – Për mua, jeniçerët ishin simbol i traditës. Këtë perandori e ndërtuan ata, apo jo? Dhe një i huaj e ka të vështirë ta kuptojë këtë gjë. Regjimenti i jeniçerëve ishte si një familje….”. Këto pasazhe janë shkëputur nga libri “Pema e Jeniçerëve” ardhur në shqip nga Shtëpia Botuese “Saras” nën përkthimin e Fari Laçkës më shumë se një vit më parë. Një nga librat bestseller në Britaninë e Madhe dhe i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ky roman do të pritej menjëherë mirë edhe nga lexuesi shqiptar. “Shtëpia e Librit” e nxjerr “Pemën e Jeniçerëve” si librin më të kërkuar gjatë vitit 2014-të. I bazuar në një ngjarje historike, ky roman do të fitonte më vitin 2007 çmimin “Edgar Allan Poe”. I magjepsur herët nga Stambolli që kur studionte histori bizantine në Cambridge University, Jason Goodwin mendoi se askush më mirë se një eunuk nuk do të mund të zbulonte të fshehtat e këtij qyteti, që kishte qenë zemra e Perandorisë Otomone. Ai e krijoi Jashimin në mendje shumë kohë para se të ulej në studion e tij në Londër për ta hedhur në letër. Ky eunuk do të mbante brenda heroin e vërtetë të shpirtit osman, një njeri që me vërtetësinë e një shërbëtori të bindur do të tregonte të vërteta që historia prej kohësh i kishte lënë diku në një cep. Jashimi nuk do të kishte frikë, ai do të përballej me rreziqe dhe do t’i sfidonte ato, duke e bërë lexuesin ta besojë në çdo lëvizje që do të bëjë në libër. “Pema e Jeniçerëve” do të kishte gjithçka çfarë mund të kërkosh nga një novelë, një mister historik dhe ekzotik që lexohet si letërsi dhe përjetohet si thriller. “I jashtëzakonshëm… paraqet një tablo të gjallë të Stambollit të shekullit XIX dhe duket sikur vetë ai (Goodwin), e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman i Goodwin del ngadhënjimtar”, do të shkruante Joan Smith në Sunday Times. Por çfarë do ta bënte lexuesin shqiptar të tërhiqej kaq shumë nga ky libër? Sigurisht që thrilleri, mënyra sesi Jashimi mendon dhe vepron, pasazhet e përshkruara plot stil të orientit të dikurshëm, por dhe psikologjia se si funksiononte një nga perandoritë më të mëdha e bëjnë këtë roman të mos e lëshosh nga dora. Por për një lexues shqiptar “Pema e Jeniçerëve” bëhet më interesant në momentin kur të njeh me personazhe të njohur të historisë sonë, që në Stambollin e atyre viteve kanë kontribuar me veprat e tyre. Ali Pashë Tepelena, shfaqet në këtë roman si pjesë e pandashme e historisë së Perandorisë Otomane, dhe Goodwin e di se nuk mund të shkruante për historinë e kësaj perandorie pa futur një personazh të rëndësishëm siç ishte Ali Pasha. Pavarësisht fjalëve që thuheshin në baret e Stambollit për të, Pashai shqiptar kishte arritur të trazonte dhe mendjen e sulltanit. Por nuk është vetëm Ali Pasha, shqiptari që një lexues takon në këtë libër, por dhe pjesa më e madhe e jeniçerëve, ata që iu kundërvunë sulltanit, dhe ky i fundit bëri hakmarrjen më të madhe ndaj tyre. Por cila është fabula e këtij libri? Në qershor të vitit 1826, sulltani Mahmud II shpërbën dhe vret mijëra prej trupave jeniçere që dikur kishin qenë elita e forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, por që me kalimin e kohës ishin kthyer në elementë turbullues dhe kishin dalë jashtë kontrollit të sulltanit. Dhjetë vjet më vonë, trupat e reja të modernizuara sipas modelit perëndimor, të cilat zëvendësuan jeniçerët, duhet të paraqesin para njerëzve disa manovra dhe taktika ushtarake gjatë një parade. Dhjetë ditë para kësaj ngjarjeje, katër nga oficerët zhduken. Njeri prej tyre gjendet i vdekur. Kryekomandanti ia beson detyrën për të zgjidhur këtë mister Jashimit. Ndërkohë vritet konkubina e re e sulltanit dhe vidhen edhe xhevahiret e nënës së tij. Jashimi duhet të hetojë tri raste të ndryshme në të njëjtën kohë. Kështu e nis rrugëtimin e tij në Perandorinë Otomane Jashimi, për ta vazhduar më pas me të tjera sfida, zbardhje vrasjesh, të cilat jo vetëm zbulonin komplotet e heshtura ndaj perandorisë, por dhe interesat e vendeve të ndryshme për të shpërbërë këtë forcë. “Portreti i Belinit” e çoi Jashimin në Venecia. është e mrekullueshme Venecia e shekullit XIX që shpaloset në këtë libër, e kuruar më shumë stil nga Goodwin. Në përpjekjet e Jashimit për të gjetur një pikturë nga piktori i njohur italian Gentile Belini, lexuesi sheh përballjen e dy botëve, Lindjes me Perëndimin. Tek “Guri i gjarprit” aventurat e Jashimit bëhen më interesante, pasi në zgjidhjen e një konflikti të vjetër në Stamboll, ai na njeh me shqiptarë, të cilëve u është besuar të mbrojnë dhe Kupën me të cilën kishte pirë ujë për herë të fundit Krishti. Tek “Syri i keq” një tjetër personazh historik, tërheq vëmendjen e Jashimit. Ai është Mehmet Ali Pasha, forcimi i pozitave të të cilit në Egjipt kishte ngjallur frikë te pasardhësi në fron i Sulltan Mahmutit II. “Klubi Bakllava” mbyll fundin e sagës së mrekullueshme të aventurave të Jashimit. Por duket se lexuesit do ta shtyjnë sërish Goodwin ta vazhdojë sagën, pasi shumë prej tyre duan ta takojnë sërish Jashimin.

 

Goodwin: Si e krijova Jashimin

“Daisy Goodwin më frymëzoi për të nisur një histori me detektivë nga koha e Perandorisë Osmane. Personazhi i Jashimit ende priste i skicuar vetëm në një faqe libri derisa hasa në një periudhë të Stambollit, vitet 1830. Christine Edzard, e cila përshtati Little Dorrit në film, kontribuoi me pasionin e saj për kostumet dhe zakonet e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Richard Goodwin, i cili lexoi librin tim pjesë-pjesë ashtu si novelat dikensiane, ndërkohë që puna me librin vazhdonte. Meqë kishte kthyer në filma shumë novela të Agata Kristit, ishte më se kompetent për të më dhënë këshilla mbi gjithçka: që nga ide gjeniale mbi subjektin deri tek dialogu. Jocasta Innes, një lexuese e etur novelash thriller, më orientoi në mënyrë që të mos e ndërprisja punën…” /Gazeta-Shqip.com

lajme të ngjashme