Depay shpërthen ndaj drejtuesve të klubit brazilian NULL NULL 23.12.2025 18:16 23.12.2025 18:16 Memphis Depay ka shpërthyer ndaj drejtuesve të Corinthians, pavarësisht suksesit të madh të skuadrës në finalen e Kupës së Brazilit. Sulmuesi holandez 31-vjeçar ishte protagonist absolut, duke shënuar golin vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Vasco da Gama në “Maracana”, gol që i siguroi ekipit trofeun. Pas ndeshjes, Depay, kontrata e të cilit përfundon më 31 dhjetor, nuk i kurseu kritikat ndaj disa anëtarëve të menaxhmentit, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme brenda klubit. Ai theksoi se drejtuesit duhet të marrin përgjegjësi dhe se klubi ka nevojë për rritje dhe stabilitet, transmeton Klankosova.tv. “Njerëzit që drejtojnë klubin duhet të zgjohen. Ata e dinë shumë mirë për kë po flas. Duhet të largohen dhe të mos shkaktojnë probleme diku tjetër. Corinthians duhet të synojë më shumë, të luftojë çdo sezon për Libertadores dhe Brasileirao, sepse tifozët e meritojnë”, u shpreh Depay. Kjo nuk është hera e parë që holandezi përplaset me drejtuesit e klubit. Edhe gjatë verës së kaluar pati tensione për shkak të pagesave të prapambetura dhe rinovimit të kontratës. Megjithatë, në fushë ai ishte vendimtar gjatë gjithë turneut, duke shënuar edhe golin e vetëm në gjysmëfinale ndaj Cruzeiro. Goli në finale jo vetëm që i dha titullin Corinthians, por siguroi edhe kualifikimin në fazën e grupeve të Libertadores për sezonin e ardhshëm. /Klankosova.tv