Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, Bajrami alarmon Sorensenin

NULL NULL
16.07.2026 18:43
Agron Bajrami, ambasadori i Kosovës në Bruksel;
Agron Bajrami, ambasadori i Kosovës në Bruksel; Foto: Arkiv

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe njëherësh kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i është drejtuar zyrtarisht të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, duke kërkuar reagim ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, të cilën e cilësoi si mbështetje të hapur për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se deklarata e ministres serbe pasqyron qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se dallimi i vetëm është se ajo “e tha me zë të lartë”, ndërsa presidenti serb tani, sipas tij, po përpiqet të zbusë pasojat e deklaratës.

“Ministrja serbe tha atë që mendon presidenti serb – ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, ka shkruar Bajrami.

Sipas tij, deklarata të tilla, si dhe sjellja e zyrtarëve serbë, përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, e cila obligon të dyja palët të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të respektojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe paprekshmërinë e kufijve.

Bajrami vlerësoi se një retorikë e tillë dëmton dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, minon besimin ndërmjet palëve dhe cenon procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Ai shtoi se distancimi i autoriteteve serbe nga deklarata e ministres përfaqëson vetëm “premtime boshe” dhe jo pendim të sinqertë apo refuzim të krimeve të kryera gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Në fund, Bajrami ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por vetëm nëse respektohen vazhdimisht parimet mbi të cilat ai bazohet.

“Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet me fjalë dhe me vepra?”, përfundoi ai.

lajme të ngjashme