Dardanëve u duhet të jenë të kujdesshëm përballë suedezëve NULL NULL nga Hekuran Sokoli 28.03.2021 14:04 nga Hekuran Sokoli 28.03.2021 14:04 Dardanët sot e nisin ndeshjen e parë në kuadër të ciklit kualifikues për Botërorin “Katar 2022”. Kombëtarja e Kosovës sot e pret atë të Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ndeshjen e cila fillon nga ora 20:45, njofton Klan Kosova. Të dy skuadrat gjatë ditës së djeshme i kanë mbajtur stërvitjet e fundit para ndeshjes në stadiumin e kryeqytetit. Nga ana e Dardanëve mungoi mesfushori Valon Berisha, i cili për shkak të lëndimit, nuk do të mund të jetë prezent as në duelin e sotëm me suedezët. Përveç tij, në dispozicion nuk do të jetë as mbrojtësi Ibrahim Dreseviq për shkak të ndëshkimit me karton të kuq. Andaj, përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes, në konferencën për media që ka zhvilluar dje, ka kërkuar kujdes maksimal nga djelmoshat dardanë – sidomos në repartin e mbrojtjes. Madje, ai e ka vlerësuar lartë skuadrën suedeze, duke e futur atë në mesin e 20 ekipeve më të mira në botë. “Do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Mendoj që Suedia është ndër ekipet më të mira në botë. Për të arritur diçka në këtë përballje duhet të kemi një paraqitje shumë të mirë. Kemi probleme me lëndime dhe kjo e bën edhe më të vështirë”, ka thënë Challandes. Kujtojmë se Kosova gjendet në grupin B, ku përveç Suedisë, do të përballet edhe me Spanjën pas tre ditëve. Ndërsa me Greqinë dhe Gjeorgjinë pritet të ndeshet në muajin qershor. Për t’u informuar më shumë rreth stërvitjeve dhe konferencave para ndeshjes Kosovë-Suedi, ndiqni kronikën e realizuar nga Klan Kosova. klankosova.tv